Ze Maria: Protestova ndaj drejtuesve, me këtë ekip nuk luftojmë për trofe

0

Trajneri i Tiranës, Zhoze Marselo Ferreira edhe një herë ka sqaruar se protesta e tij pas takimit me Pogradecin i adresohej drejtuesve të skuadrës. Në një intervistë për “Procesin Sportiv”, ku u vu jo pak në siklet nga vajzat e emisionit, Ze Maria pranoi se kërkon të vendoset e ardhmja e tij te bardheblutë. Gjatë rrëfimit të tij, braziliani pranoi se me këtë ekip që ka aktualisht, Tirana paraqitet mirë, por nuk lufton për trofe.

-Arritët që të ktheni Tiranën në Superiore. Si ju duket Shqipëria?

Jam duke u përshtatur. Duhet ta pranoj se në Kategorinë e Parë ishte e vështirë dhe nuk rezultoi një shëtitje. Përgëzime djemve, që ia dolën. Ishte e vështirë sepse të gjithë donin ta mundin Tiranën. Mendonin se do ishte e lehtë, por ishte e vështirë kur shkoje në fushat jashtë. Ia dolëm mbanë dhe për këtë duhet të përgëzoj djemtë. Shumë prej tyre luajtën në një kategori që nuk e njihnin. Shpresoj se ishte diçka e mirë dhe lamë një shenjë të mirë. Jam i kënaqur për atë që kemi arritur këtë sezon. Kemi plotësuar dy nga tre objektivat që kishim si skuadër.

-Mister, përse nuk folët pas ndeshjes? Cila është e vërteta?

Duhej të shkoja në shtëpi, për të bërë gati darkën, ndaj e kisha pak me ngut. Në ato çaste ishte momenti i lojtarëve. Trajneri flet pak kur humbet dhe kur fiton, flet edhe më pak. Ishte e natyrshme që të flisnin lojtarët me gazetarët pas 8 muajsh të mundimshëm. Unë do kem kohë të flas. Isha pak i zëmëruar me disa gjëra që ndodhën gjatë javës, por do t’i diskutoj me ata që duhet dhe s’dua t’i bëj publike.

-Si ju duket futbolli në Shqipëri?

Unë vij nga një botë si Italia, që nga pikëpamja futbollistike ka një mentalitet ndryshe. Atje gjërat janë më të përpikta. Atje secili ka rregullat e tij. Në Itali, vetëbesimi futbollistik është i lartë dhe këtë doja t’ua bëja të qartë lojtarëve të mi. Më pas, problemi janë gjërat e jashtme. Unë do të flas me presidentin dhe do të vendos nëse do të qëndroj apo jo.

-Një mendim për presidentin Refik Halili. Thuhet se keni probleme me të…

Nuk kam probleme me presidentin Halili. Duhet të ulemi dhe të diskutojmë disa gjëra me qetësi. Kemi edhe një 1 muaj kohë deri në fund të kampionatit, të fitojmë finalen e Kategorisë së Parë dhe më pas të mendojmë për kontratën. Shpresoj që të vazhdoj te Tirana. Këtu kam gjithçka që më duhet, sepse edhe shtëpia ime është afër Shqipërisë, pasi jetoj në Itali. Duhet të caktojmë, nëse do të vazhdojmë apo jo sezonin e ardhshëm, apo do të mbyllim gjithçka. Pas 19 majit duhet të flasim për të ardhmen, dua ti dhuroj klubit trofe dhe të festojmë së bashku me tifozët tanë një sezon pozitiv.

-Kjo skuadër që keni tani është gati për në Superiore?

Skeletin e kemi. Sigurisht që duhet të marrim lojtarë të rinj dhe të mirë. Lika, Karabeci, Daja, Toni e Junus përbëjnë boshtin e ekipit. Nëse afrojmë lojtarë të mirë do të bëjmë gjëra të mëdha. Sigurisht, ne kemi fituar barazuar dhe humbur me skuadra të Superiores. E them me plot gojën. Ne, me këtë skuadër kemi bërë mirë dhe do të bënim shumë mirë, por nuk do të ishim në garë për trofe. Me këtë skuadër në Superiore, nuk mund të garojmë për trofe dhe ky është thelbi i diskutimit tim me presidentin për rinovimin e kontratës dhe sezonin e ri.

-Superiorja?

Të them të vërtetën nuk shoh ndonjë diferencë të madhe, mes Partizanit dhe Kukësit. Në fund është një lojtar që bën dhe bëri diferencën, siç është Guri. Nëse rritet edhe më shumë, duhet të bëjë gjëra të mëdha. Guri është një lojtar që e kërkon ndëshkimin, sepse kërkon të bëjë gjëra të mëdha. Kundër Partizanit i bëri vet gjërat në fushën e lojës. Nëse do të jetë gjithmonë në “këmbë në këmbë” do të bëjë diferencën. Ai arrin ta mbajë të gjallë skuadrën. Këtë e bënte edhe kur ishte Bakaj. Kështu bëri ndaj nesh. Praktikisht bëri çfarë deshi.

Skënderbeu është botë tjetër dhe realisht e bën diferencën. Nëse do të fitojë ndeshjet e bën. Është skuadra më e fortë në Superiore. Gjithçka duhet ta mbyll me një batutë që e thoshte një trajner imi. “Një lojtar që shtrihet në tokë është “i vdekur”. Një lojtar në këmbë bën mrekullira.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here