Ze Maria-lojtarëve: Cili është problemi, unë apo…?

Trajneri u kërkon lojtarëve shkaqet e humbjes kundër Bylisit. Braziliani pyet futbollistët edhe për pagat dhe nëse e suportojnë trajnerin

Olsi Avdiaj
Një mbledhje për të sqaruar situatën ishte ajo e djeshmja te Tirana, por që trajneri Ze Maria e ka kthyer në një diskutim të hapur me skuadrën. Numri një i stolit të bardhebluve nuk ka humbur kohë dhe dje në një analizë që ka zgjatur jo pak, ka kërkuar shkaqet e humbjes. Në fillim trajneri brazilian ka analizuar shkaqet e humbjes dhe më pas ka nisur të sqarojë cilat janë problemet që e kanë çuar ekipin deri në këtë pikë. Në radhë të parë, trajneri ka nxjerrë si shkak mendjemadhësinë. Më pas kanë ardhur gabimet në lojë dhe të mos organizimit të mirë të lojës. Problemi më delikat ka qenë çështja që ka ngritur trajneri dhe që ka kapur pa përgatitur lojtarët. Ze Maria në ligjërimin e tij u ka kërkuar lojtarëve të tregojnë të gjitha shkaqet që ka sjellë grupin në këtë humbje.
Në fillim trajneri i ka pyetur lojtarët nëse kanë ndonjë presion nga lart. Po kështu pyetja e dytë ka qenë nëse nuk ndihen mirë, apo nëse nuk u pëlqen puna me vetë Ze Marian dhe stafin e tij. Pasi ka mbaruar çështjen e pëlqimeve apo mospëlqimeve, trajneri brazilian ka lëshuar një batutë në qiell të hapur, që i ka habitur jo pak lojtarët. Ze Maria ka pyetur lojtarët shkoqur: A keni probleme me pagesat? Menjëherë grupi ka mohuar që të kenë probleme me paratë apo me pagat, duke hedhur poshtë çdo lloj diskutimi, pra që janë nuk paguar. Lojtarët kanë pranuar se gjithçka shkon në rregull edhe në anën financiare. Dhe pas këtyre fjalëve gjithçka është mbyllur me kthimin në stërvitje.

Objektivi – Pas analizës së gjatë, trajneri u ka bërë me dije lojtarëve që nga tani e deri në fund të dy fazave, duhet të fitohen të gjitha takimet dhe humbja me Bylisin të jetë një shenjë e zezë në rrugëtimin e Tiranës në Kategorinë Superiore. kjo është mënyra e vetme për të larë atë humbje turpëruese në Selman Stërmasi.

Stërvitja nën rrebesh – Menjëherë pas analizës që ka zgjatur jo pak (edhe pse zyrtarisht ishte vetëm 20 minuta, por thuhet se debatet kanë prekur 60 minutëshin), skuadra ka dalë në stërvitje. Si ndëshkim për humbjen trajneri Ze Maria u ka zhvilluar një stërvitje rraskapitëse lojtarëve në fushën me bar sintetik. Lojtarët për gjatë gjithë kohës kanë vrapuar lart e poshtë dhe në fytyrat e tyrej dukej qartë se ishin sforcuar në maksimum. Stërvitja është zhvilluar për gjatë dy orëve të paradites nën një rrebesh shiu dhe minutat e tepërta kanë bërë që edhe pasdite stërvitja të shtyhet për shkak të spostimit të orarit të stërvitjes së paradites.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *