Ze Maria kërkon kujdes: Shkumbini e ka nisur mirë

Tirana e ka nisur ashtu si pritej kampionatin, duke dominuar në Kategorinë e Parë, por trajnerin Ze Maria nuk pranon të flitet për ndeshje të lehta, edhe pse nuk bëhet fjalë për rivalë të nivelit të Superiores. Nesër përballë është Shkumbini dhe Ze Maria kërkon kujdes.

“Nuk do të jetë një formalitet, pasi luajmë përballë një skuadre që ka fituar 2 nga tre ndeshjet e luajtura në kampionat dhe ka 3 pikë më pak. Di që janë skuadër që luftojnë fort dhe vrapojnë shumë, sidomos në fushën e tyre, që e shfrytëzojnë shumë. Duhet të jemi më të “këqij” se ata për të fituar. Na duhet të shkojmë me mentalit fitues, vetëm në këtë mënyrë mund të marrim atë që duam. Duhet të ecim me ritmin e duhur”, tha braziliani në konferencën e sotme për shtyp, në prag të sfidës ndaj Shkumbinit në Peqin.

Për Ze Marinë, Tirana tashmë po bëhet skuadra që ai synon: “Kjo skuadër ka për t’u rritur akoma më shumë. Pa diskutim që është skuadra ime. Ata kanë marrë nga mua mentalitetin që kam. Përgjatë javës ne mendojnë për të fituar ndeshjen e fundjavës. Punojmë për të fituar gjithmonë. Kategoria e Parë është një kampionat i fortë fizikisht, ku mungon cilësia teknike. Këtu qëndron diferenca mes këtyre dy kampionateve dhe kjo është arsyeja pse Tirana ime vuan deri diku të shprehet në fushë. Do të kemi probleme kur të nisin shirat dhe terrenet të ndryshojnë”.

Për trajnerin bardheblu zërat për përforcime shtesë në janar nuk kanë vlerë: “Kemi 3 muaj përpara, nuk është serioze të flasim për gjërat që do të ndodhin në janar. Nuk është aspak profesionale të flas për merkaton”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *