Ze Maria: Kam refuzuar klub tjetër në Shqipëri

Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka folur sot në Supersport, duke prekur tema të ndryshme, ndërkohë që zbuloi një detaj interesant, duke folur për ardhjen në Shqipëri, sepse vjet ka refuzuar një klub tjetër, pa e zbuluar emrin.

“Kisha refuzuar të vija vjet këtu, sepse nisa një projekt në Kenia dhe thashë “jo”, pasi më kishin ofruar drejtimin e një skuadre tjetër në Shqipëri. Këtë vit më erdhi ofertë nga Tirana, u interesova, mësova për momentin e vështirë në të cilin ndodhet, por edhe historinë e madhe të klubit. Më tërhoqi sfida e rindërtimit të një skuadre ambicioze, më pëlqeu projekti. Bisedova me presidentin, i shpalosa idetë e mia, ai ra dakord dhe pranova të vij në Shqipëri”.

Problemet – “Pjesa më e vështirë është rikuperimi i raportit me tifozët. Plaga e rënies nga kategoria është shumë e madhe, duhet shëruar kjo plagë dhe nuk është e lehtë. Kam biseduar me tifozët, e di që janë të pakënaqur, i kam garantuar që nuk do të mungojë kurrë dëshira dhe sakrifica për të fituar për këto ngjyra. Çdo futbollist i Tiranës duhet të japë 100%, gjithçka nga vetja, të sakrifikojë për të dhënë kontribut që klubi të kthehet në nivelet normale, që është Kategoria Superiore. Kemi luajtur ndeshje me kundërshtarë të Kategorisë Superiore, ashtu si ndaj atyre të Kategorisë së Parë, dhe kemi treguar gjithnjë mentalitet dhe dëshirë për fitore”.

Vështirësi në punën te Tirana? “Vështirësi ka, janë normale, që nga marrëdhëniet me tifozerinë e deri te problemet e tjera të klubit, që nuk i përkasin skuadrës. Ne mundohemi që ta izolojmë skuadrën nga problemet e jashtme, pasi nëse këto probleme futen në skuadër, atëherë nuk mendohet më për futbollin e luajtur”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *