Ze Maria: Duhet të shënonim një gol, por nuk është ende Tirana ime

“Duhet të shënonim të paktën një gol”. Trajneri i Tiranës, Ze Maria në fund të sfidës së djeshme është dukur i kënaqur përgjysmë me paraqitjen e skuadrës. Në një krah ai falënderoi djemtë për lojën që zhvilluan. Por në anën tjetër thotë se skuadra e tij duhet të kishte shënuar të paktën një gol. Dhe nëse ekipi shënonte, atëherë ndoshta bardheblutë nuk do të pësonin dy gola dhe humbja nuk do të ishte 2-0. “Ishte një ndeshje shumë e mirë. Kemi luajtur siç duhet. Kemi kontrolluar lojën në momente të caktuara. Na ka munguar vetëm goli. Ua thashë edhe djemve në fund të takimit. Duhet të shënonim një gol. Nëse do ta kishim bërë një gjë të tillë, nuk e di nëse do të pësonim dy gola të tjerë. E përgjithshmja është pozitive. Të dyja skuadrat mund ta fitonin ndeshjen. Ne paguam me çmim shumë të lartë dy-tre gabime. Është zhgënjyese, por gjithçka mund të ndodhë. Ka edhe një ndeshje. Kemi humbur me dy gola dhe në Tiranë mund të ndodhë gjithçka. Ju siguroj që në ndeshjen tjetër do të jetë ndryshe. Makabi është një skuadër e mirë. Me trajner të mirë. Ka edhe disa lojtarë shumë të mirë që na vunë në vështirësi. Sot nuk ishte futbolli shqiptar. Kemi shumë pak që stërvitemi bashkë. Do të punojmë edhe një javë dhe do të shohim. Të luash në shtëpi me Makabin është e vështirë, por nuk mund të jetë justifikim”, është shprehur në fillim Ze Maria.

Trajneri i bardhebluve foli edhe për ndeshjen e kthimit në Tiranë. “Nuk mund të them asgjë. Thjesht ne do ta provojmë. Kemi djem të rinj e me të ardhme. Jam i sigurt që do të paraqitemi shumë mirë”, është shprehur në vazhdim Ze Maria. Trajneri ka lavdëruar të gjithë futbollistët që ishin në fushë, duke thënë se me 10 ditë stërvitje kjo skuadër dha maksimumin.

Dy fjalë edhe për trajnerin kundërshtar. “Zhordi mund të bëhet një trajner shumë i mirë. Sepse ai ka luajtur në skuadra të mëdha dhe ka mësuar nga më të mëdhenjtë, duke filluar që nga babai i tij. Jam i bindur se do të ketë një të ardhme të ndritur”, mbylli Ze Maria.

Krujf: Nuk jemi ende një skuadër

Në fund të ndeshjes ka folur edhe Zhordi Krujf për sfidën me bardheblutë. Trajneri holandez është shprehur se e respekton kundërshtarin, edhe pse erdhi një fitore në dukje e lehtë. “Mendoj se ishte një ndeshje e mirë për ne. Nuk harxhuam shumë energji dhe kjo bëri që të humbitnim shumë topa në mesfushë. Një ndeshje tipike e fillimsezonit. Ne nuk luajtëm bashkë dhe kjo na çoi që të bënim shumë gabime. Dua ta shoh Makabin më shumë dinamik, më ofensiv dhe me energji. Një skuadër që të luajë me pasion. Nuk është skuadra përfundimtare, por do të përforcohemi”, mbylli Krujfi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *