Ze Maria: Duhet të jemi Tirana, niveli i Superiores më ka habitur

0

Pjesa e parë e Tiranës ndaj Shpresave nuk ishte e mirë dhe trajneri Ze Maria pas ndeshjes e pranoi se mobilizimi i skuadrës nuk ishte aty ku duhej, kjo për shkak se ishte një ndeshje miqësore. Trajneri brazilian foli për përballjet në të Parën,ndeshjen e Kupës me Vllazninë dhe se si e sheh ai Superioren. Nuk mungoi një koment edhe për Skënderbeun e Julianon, ndërkohë që theksoi se në Superiore mendon se ka lojtarë të denjë për Kombëtaren.

– Trajner, ndeshje miqësore, por pa disa lojtarë si Doka, Nuriu e Halili. Sa iu bindi ndeshja?

– Jam i kënaqur për lojtarët e grumbulluar në kombëtare, ai duhet të jetë objektivi i çdo lojtari. Shpresoj të dërgoj lojtarë të tjerë në kombëtare, sepse do të thotë që Tirana po bën një punë të mirë. Ndeshja ishte miqësore, është normale që nuk është i njëjti mobilizim, e njëjta grinte e vendosmëri, por shërben si një stërvitje e mirë, sepse përballë kishim 21-vjeçarët më të mirë në vend.

-Përshtypjet nga Kategoria e Parë, pas ndeshjeve të para?

– Është një futboll më fizik sesa Superiorja. Skuadra të vogla, që ndonjëherë mbyllen pas për periudha të gjata dhe që mundohen të na godasin në kundërsulm, me një top të gjatë apo një kundërsulm. Duhet të jemi të vëmendshëm për 90 minuta dhe të jemi Tirana. Nuk është e lehtë, por duhet të fitojmë dhe të bindim. Kemi luajtur mirë në disa raste, jo dhe aq në disa raste, por duhet të kërkojmë të luajmë bukur.

– Vllaznia është përpara në kupë. A keni frikë se skuadra mund të ketë një handikap me ekipe të Superiores?

– Nuk besoj se ka handikap. Është normale që të luash kundër një skuadre të Superiores është më entuziazmuese, sepse dëshiron të tregosh se duhej të ishte pjesë e Superiores. Duhet përqendrim, kemi 25-26 lojtarë të aftë të luajnë në çdo ndeshje dhe mendoj se mund ta përballojmë kalendarin e ngjeshur. Kemi një javë kohë për të punuar, ndërsa më pas do të luajmë çdo tre ditë. Skuadra është e përqendruar për të dyja kompeticionet dhe e kam thënë që pas Superkupës, kampionati dhe kupa janë objektiva me rëndësi të njëjtë, edhe pse në kupë përballemi me rivalë të një niveli pak më të lartë se ne.

– A mendoni se e njihni sa duhet tashmë Superioren?

– Kam ndjekur kryesisht Partizanin, sepse është stadiumi ynë dhe për faktin se banoj afër stadiumit. Kam parë ndeshje të mira, lojtarë të mirë dhe më ka habitur niveli i lartë i garës. Edhe disa lojtarë, edhe pse vendos Panuçi, më janë dukur të aftë për të luajtur në Kombëtare dhe besoj se ai po i vëzhgon.

– Skënderbeu, e keni ndjekur në Europa League?

– Po, e kam parë. Skuadër e shkëlqyer, me karakter, që ka fituar edhe në Kukës, nuk është aspak e lehtë. Është një skuadër që e di sa vlen dhe jo rastësisht Skënderbeu kryeson, duke luajtur mirë kudo, fryt i eksperiencës ndërkombëtare. Kur luan në ndeshje ndërkombëtare, rritesh dhe fillon ta tregosh edhe në kampionat sa je rritur. Skënderbeu ka mësuar të rritet dhe po e tregon edhe në kampionat.

– Një këshillë për Julianon?

– Jo, nuk do t’ia lejoja kurrë vetes që të ndërhyja në çështjet teknike e taktike të kolegëve. Juliano ka nevojë për kohë, vjen nga jashtë, duhet të njohë lojtarët dhe mentalitetin, por uroj me gjithë zemër që të arrijë të dalë nga kjo situatë dhe të përshtatet, duke i nxjerrë potencialin maksimal skuadrës që ka në dispozicion.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here