Zbuloi Higuainin, Pasarela “tërbon” gjithë juventinët me krahasimin

Gonzalo Higuain është pothuajse një lojtar i Milanit. Transferimi i Kristiano Ronaldos te Juventus befasoi gjithë botën futbollistike dhe tashmë askush nuk habitet më. Merkato është e çmendur dhe shprehjet e famshme “Ndihem i lumtur dhe do e mbyll karrierën këtu ku jam”, përveçse i dëgjojmë përditë e më pak, askush nuk u beson më deklaratave të tilla.

Daniel Pasarela është trajneri i cili i dha shansin Higuainit të debutojë me ekipin e River Plejt, në moshë fare të re. Dy herë kampioni i botës me Argjentinën, ishte ai që e modifikoi pak rolin e Gonzalos. Ky i fundit ishte më shumë një numër 10 sesa një sulmues, por intuita e Pasarelës e ktheu në një numër 9 klasik. Bomber dhe gola. Në një intervistë për “TuttoMercatoWeb”, Pasarela flet për Higuain dhe ai beson që Gonzalo te Milan do të shënojë më shumë sesa Ronaldo te Juventus.

“Milan do bënte një blerje të shkëlqyer nëse merr Higuain. Gonzalo ka një mentalitet fituesi, është një goleador i madh dhe jam i bindur se do të fitojë dhe me bluzën kuqezi. Kur dolën fjalët për kalimin e tij te Milan, u habitëm të gjithë në Argjentinë, duke llogaritur vështirësitë dhe koston e lartë me të cilat Juvja e mori nga Napoli. Po flasim për një nga bomberat më efikas në botë.”

“Kur mora drejtimin e Riverit në vitin 2006, vendosa të provoj të rinjtë premtues të klubit. Gonzalo luante pak më mbrapa dhe ishte një lloj numri 10, por bashkë me ndihmësin tim, Alehandro Sabela, e kuptuam shumë shpejt që djaloshi kishte instiktin e një numri 9. Kisha luajtur futboll me babanë e Gonzalos dhe isha kurioz se çfarë do të jepte në pozicionin si qendër sulmues. Ai ishte rreth 18 vjeç, shënoi golin e parë, pastaj të dytin dhe nuk u ndal më…Më pas Pipita kaloi në Spanjë dhe te Reali u rrit shumë. Mbasi u ambientua, ai fitoi besim dhe vazhdoi të bëntë atë çfarë dinte: shënimin e golave.”

“Nëse Milan e zyrtarizon do shohim një sfidë të bukur mes tij dhe Ronaldos. Unë besoj që Gonzalo do të shënojë më shumë sesa portugezi te bardhezinjtë.”

Në fund Pasarela e mbyll me blerjen e Interit, Laurato Martinez. “Laurato më çmend fare. Është i ri, ka kualitet dhe eksperienca e marrë me Racing do e ndihmojë. E shoh mirë në krah të Ikardit dhe kjo dyshe argjentinase do i dhurojë kënaqësi pafund tifozëve zikaltër.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *