Zbulohet prapaskena/ Kumbullën e kërkonte Juventusi, Verona ia tha prerë: Nuk preket

Marash Kumbulla është kthyer në një nga pikat më të forta të Veronës në këto javë të kampionatit italian dhe kjo gjë ëshë parë qartë në fushën e lojës. Shpesh është dalluar si një nga më të mirët në përballjet që ka luajtur, duke qenë një pengesë thuajse e pakalueshme edhe për emra të mëdhenj dhe me eksperiencë si Ronaldo, Dibala apo Kualiarela.

Aftësitë e mbrojtësit shqiptar kanë rënë në edhe në sytë e ekipeve të njohura, por Verona e ka konsideruar të paprekshëm Kumbullën dhe ka refuzuar çdo interesim në drejtim të tij, madje përfshirë këtu edhe atë të Juventusit. Është pikërisht Gianluca di Marzio që zbulon këtë prapaskenë në një artikull dedikuar Marashit, ku nuk i ka kursyer fjalët e mira për të. Në janarin e shkuar, një vëzhgues i bardhezinjve ka shfaqur interesim për futbollistin shqiptar, por përgjigja e klubit veronez ka qenë e prerë dhe e shkurtër: “Kumbulla nuk preket”.

Me sa duket Hellas Verona i ka pasur idetë e qarta për mbrojtësin kuqezi dhe paraqitjet e tij në Serie A i kanë dhënë të drejtë. Një “mur” si Kumbulla patjetër që i duhet klubit italian për të arritur objektivat e tyre./Sport Ekspres/