Zbulohet kleçka e kontratës së Mesit, kapiteni largohet nga Barcelona?

Lionel Mesit i skadon kontrata me Barcelonën në verën e vitit 2021, por klubi dëshiron që ylli dhe kapiteni i ekipit të rinovojë përsëri, për një vit më shumë. Siç citon “El Mundo Deportivo”, argjentinasi ka një klauzolë të veçantë në kontratën e tij.

Ekziston një pikë në kontratë, që i lejon Mesit të largohet gratis nga Barcelona në qershorin e vitit 2020, por me një kusht. 31-vjeçari nuk mund të transferohet te ndonjë klub elite. Mesi firmosi rinovimin e fundit me ekipin me datë 25 nëntor të vitit të kaluar. Marrëveshja u shty, sepse klubi dëshironte të vendoste një klauzolë largimi prej 700 milionë eurosh, ku përfshihej dhe opsioni “anti-sheik”, pra refuzimi automatik i çdo oferte të klubeve si: PSG dhe Mançester Siti, që udhëhiqen nga sheikët e pasur.

Megjithatë, palët arritën akordin dhe siç zbulon “El Mundo Deportivo”, në kontratën e lojtarit ekziston mundësia e largimit në vitin 2020. Presidenti Bartomeu është shprehur se shpreson që ky të mos jetë rinovimi i fundit i kapitenit me Barcelonën, i cili ka rinovuar 8-të herë kontratën e tij me ekipin e jetës së tij.

I pari ndodhi në vitin 2005, kur Mesi “shpërtheu” dhe i mahniti të gjithë. Ai ishte 18 vjeç, kur rinovoi deri në vitin 2010. Në shtator të atij viti, presidenti Laporta vendosi t’i dhuronte një tjetër rinovim yllit argjentinas. Rinovimi i tretë erdhi në janarin e vitit 2007, para tripletës së famshme kundër Real Madrid në “Santiago Bernabeu”. Aty u vendos dhe klauzola prej 150 milionë eurosh për largimin e lojtarit.

Me ardhjen e Guardiolës në stolin e ekipit katalanas, Mesi rinovoi për të katërtën herë. Pas fitimit të tripletës në vitin 2009, Leo rinovoi përsëri deri në vitin 2016, më një klauzolë prej 250 milionë eurosh. Ishte rinovimi i pestë i tij me Barcelonën.

I gjashti erdhi në dhjetor të vitit 2012, ku rroga e tij shkoi nga 10.5 milionë euro në sezon në 12 milionë euro. Klauzola e largimit mbeti 250 milionë euro. Rinovimi i shtatë erdhi para Botërorit të vitit 2014, ndërsa e teta dhe e fundit ishte ajo e 25 nëntorit të vitit 2017, që e mban të lidhur me Barcelonën deri në vitin 2021, me një klauzolë largimi prej 700 milionë eurosh.

Klubi dhe tifozët presin rinovimin e nëntë, por lajmi i pikës në kontratë, që i krijon mundësinë e largimit në verën e vitit 2020 i ka trembur dhe shqetësuar të gjithë në kampin katalanas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *