Zbulohen prapaskenat e vitit 2003, Ronaldo mund të ishte i… Parmës!

0

Juventus udhëton drejt Parmës në ndeshjen e javës së tretë të Serisë A dhe Ronaldo do të kërkojë të shënojë golin e parë “italian” përballë ekipit me të cilin mund të kishte luajtur përpara 15 vitesh…

Ishte vera e vitit 2003 dhe Parma ishte pranë blerjes së 18-vjeçarit portugez, i cili ishte pjesë e Sportingut të Lisbonës. Vëzhguesit e klubit verdheblu kishin ndjekur për një vit paraqitjet e djaloshit me Sportingun dhe referencat e tyre ishin entuziaste për cilësitë teknike dhe fizike të Ronaldos. Parma sapo kishte shitur Adrian Mutu te Çelsi dhe ofroi 10 milionë euro për kartonin e tij. Sportingu pretendonte 12.5 milionë të tilla dhe palët ishin drejt akordit final, por shpërtheu çështja Parmalat që solli largimin e presidentit Tanzi.

Presidenti Kalisto Tanzi vendosi të bllokonte tratativën. 22.5 milionë eurot e fituara nga shitja e Mutu-së në Angli nevojiteshin për të mbushur vrimat financiare të klubit, që më vonë rrëshqiti drejt humnerës. Drejtuesit dhe djali i tij insistonin të paguanin gjysmën e shumë së fituar për të blerë 18-vjeçarin e talentuar, madje dhe trajneri Çezare Prandeli e dëshironte shumë këtë blerje:” Duhet ta marrim sa më shpejt, sepse duket qartë që është një fenomen i vërtetë.”

Trajneri kishte ndjekur miqësoren mes Sportingut dhe Mançester Junajtid dhe kishte mbetur i mahnitur nga cilësitë e Ronaldos. Ishte 6 gusht 2003. Por, insistimet e tyre nuk mjaftuan dhe kreu i Parmës bllokoi tratativën.

Në përfundim të asaj miqësore, disa nga lojtarët e “Djajve të Kuq” i kërkuan trajnerit Aleks Ferguson: “Duhet ta blesh direkt këtë lojtar.”

Skocezi veproi në fshehtësi dhe arriti të bindë lojtarin dhe klubin për të kaluar në ishull. Parma nuk u dorëzua dhe bëri tentativën e fundit, pavarësisht kundërshtimit të presidentit. Italianët i dërguan një faks klubit portugez me datë 8 gusht të atij viti. Oferta ishte zyrtare dhe emilianët ofronin 11 milionë euro për kartonin e Kristiano Ronaldos. Në fund triumfoi Ferguson, i cili ofroi 15 milionë euro me datë 13 gusht dhe anësori i talentuar mori avionin drejt ishullit. Pjesa tjetër është histori dhe në fundjavë Kristiano Ronaldo do të përballet me Parmën për t’i shënuar golin e parë në Serinë A, ndërsa te Parma ndihen keq, kur mendojnë se kanë humbur shansin e jetës dhe “mallkojnë” presidentin Tanzi.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.