Zbulimi Mulaj: Nga Kosova te Kastrioti për Superioren

Erblind Mulaj është një nga lojtarët e afruar gjatë merkatos së janarit në radhët e skuadrës krutane. Mulaj, shënoi edhe një gol në Lezhë, ku skuadra krutane fitoi 0-2 dhe hodhi një hap shumë të sigurtë drejt Superiores. Mulaj pas ndeshjes ka dhënë edhe një intervistë, ku ka folur me detaje…

-U larguat nga Kosova dhe zgjodhët pikërisht Kastriotin. Përse kjo zgjedhje?

U largova nga Kosova për një aventurë të re në karrierë, dhe Shqipëria ishte vendi ideal. Zgjodha Kastriotin për arsye se është një klub i mirë, i organizuar dhe me objektiva madhorë.

– A jeni ambientuar me skuadrën, si po ju duket Shqipëria, dhe më konkretisht Kruja?

Po jam ambientuar shumë shpejt, për këtë arsye falënderoj shokët e ekipit trajnerin që më kanë bërë të ndihem si në shtëpinë time. Shqipëria është një vend i shkëlqyer, ndërsa Kruja është e mrekullueshme, pasi ka njerëz të mirë dhe mjaft të sjellshëm.

– Debutuat me gol që në takimin e parë me fanellën e Kastriotit, si ndiheni?

Normal që ndihem i lumtur por, kjo duhet të jetë një motiv shtesë për të punuar më shumë. Në Shqipëri futbolli është më cilësor, ndihem mirë falë skuadrës, trajnerit, pasi më kanë përkrahur shumë, shpresojmë që së bashku, t’i arrijmë objektivat e klubit.

– Keni një dedikim për golin e shënuar?

Për golin falënderoj Zotin, familjen dhe skuadrën, ishte një kënaqësi e dyfishtë për mua që shënova në ndeshjen time të parë.

– Cilat janë objektivat tuaja personalë?

Në radhë të parë duhet të punoj shumë. Aktualisht jam i përqendruar tek Kastrioti, me aq sa mundem dua që të ndihmoj klubin. Pastaj, shpresoj që të përmirësohem si futbollist nga dita në ditë.

– Sa e njihni kampionatin dhe formulën e Kategorisë së Parë. E shihni Kastriotin të ngjitur, apo përgjysmimi i pikëve rihap garën?

Ky përgjysmimi i pikëve nuk më duket i drejtë, pasi penalizohet ai që ka më shumë pimë. Megjithatë, edhe pas këtij përgjysmimi, ne nuk trembemi, shoh që skuadra ka lojtarë me përvojë të madhe që dinë mirë të menaxhojnë këto situata. Këto lojtarë janë edhe mjaft cilësorë. Po ashtu kemi edhe një trajner profesionist që na mban me këmbë në tokë. Me angazhim dhe përqendrim do arrijmë objektivat e klubit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *