Zbardhet kalendari i javës së 19-të të Superiores, luhet në tri ditë

Edhe pse duhen dy javë që gjysma e dytë e sezonit të Kategorisë Superiore të nisë me javën e 19-të, FSHF-ja ka publikuar programin e përballjeve të radhës. Kështu, kjo javë do të nisë me një sfidë të veçantë në Korçë, ku më 25 janar ora 18:00, Skënderbeu do të presë në stadiumin e Korçës skuadrën kryesuese, Partizanin. Një rinisje interesante për aktualitetin e këtyre dy skuadrave, pse jo, edhe një rikonfirmim për Partizanin kryesues.

Të shtunën më 26 janar 2019, Kukësi do të luajë ndaj Laçit, një ndeshje e planifikuar të luhet në stadiumin e Kamzës. Kuksianët janë në ndjekje të Partizanit për kreun e renditjes, ndërsa Laçi me Besnik Prengën në pankinë do të tregojë se është në rrugën e synimeve për zonën e Europës në renditje.

Po këtë ditë luhet një tjetër ndeshje e fortë, e quajtur si “Derbi bregdetar”, ku në “Niko Dovana”, Teuta vendase pret Flamurtarin, dy skuadra që në 18 javët e luajtura kishin diferenca në lojë dhe në renditje. Për durrsakët kjo ndeshje i hap, ose i mbyll “portat” e kreut, ndërsa për Flamurtarin me probleme në këtë muaj përgatitor, ndoshta do të jetë testi real për ngjitjen në renditje.

Për ditën e dielë, 27 janar 2019, FSHF-ja ka menduar që të vendosë përballë katër skuadrat që renditen në zonën e mbijetesës pas 18 javëve të luajtura në Kategorinë Superiore. Luftëtari me shumë probleme edhe gjatë janarit dhe Kastrioti me largime dhe afrime në këtë muaj, mbetet sfida që do t’i japë më shumë dritë mbijetesës për të dyja skuadrat.

Tirana pret Kamzën në “Selman Stërmasi”, sfidë interesante jo vetëm se luhet brenda Prefekturës së Tiranës, por edhe për ndryshimet që të dyja kanë patur gjatë këtij muaji. Të gjitha këto ndeshje do të luhen pas atyre të turit të 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë, ku edhe skuadrat do të kenë mundësinë e kolaudimit për rifillimin e kampionatit.

NDESHJET-JAVA E 19-të
E premte, 25 janar 2019
Skënderbeu-Partizani  18:00
E shtunë, 26 janar 2019
Kukësi-Laçi                    14:00
Teuta-Flamurtari         17:00
E dielë, 27 janar 2019
Luftëtari-Kastrioti       14:00
Tirana-Kamza              17:00

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *