Zapata: Po “fluturojmë” falë Gasperinit, Juves i shënoj prej… Napolit!

Duvan Zapata nuk u ndal as kundër Juventusit në Kupë dhe shënoi një dygolësh (u ka shënuar dy gola dhe në ndeshjen e kampionatit) për të dërguar Atalantën e tij në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.

Kolumbiani ndodhet në një formë të mrekullueshme. Në dhjetë ndeshjet e fundit ka shënuar plot 17 gola midis kampionatit dhe dy ndeshjeve të Kupës. Të gjithë i janë vënë pas dhe ofertat në merkato janë të shumta, por 27-vjeçari mendon vetëm për ekipin aktual.

Në fillim nuk e donte askush, ndërsa vetëm Atalanta besoi tek ai. Klubi nga Bergamo pagoi 12 milionë euro te Sampdoria për huazimin dyvjeçar e bomberit dhe 12 të tjera do të paguhen në fund, për një total kartoni prej 24 milionë eurosh.

Shpërthimi i Zapatës ndodhi në muajin dhjetor, ndërsa dhe viti i ri ka nisur në mënyrën më të mirë. Djemtë e Gasperinit do të luftojnë me Fiorentinën për një vend në finale, ndërsa ëndrra është kualifikimi në Champions.

Milani i vendit të katërt është vetëm tre pikë larg dhe ekipi ku aktivizohen dhe Etrit Berisha me Berat Gjimishitin po befason me lojën, golat e shënuar dhe rezultatet e arritura. Zapata ka folur për “Sky Sport”, duke u ndalur te forma e tij, trajneri Gasperini, objektivat e klubit, merkato dhe festa pas fitores 3-0 kundër Juventusit në kupë.

MOMENTI – “Jam shumë i lumtur dhe po shijoj një moment të bukur. Po marrim kënaqësi të mëdha dhe mund të them se jemi një ekip shumë i fortë. Dua t’i falënderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur.”

ATALANTA – “Isha në dijeni të insistimit të klubit për të më sjellë në Bergamo. Vuajta pak për t’u përshtatur, por qëndrova i qetë. Qetësia vjen falë punës dhe ishte e rëndësishme të punoja fort për të pritur më pas atë që po ndodh tani. Ekipi është në formë dhe duam të vazhdojmë përpara në këtë mënyrë.”

SEKRETI – “Nuk ka asnjë sekret për golat e shënuar. Jam përmirësuar vit pas viti në Itali në aspektin e golave dhe paraqitjeve të dhuruara në fushë. Ketë sezon po punoj me Gasperinin dhe ai po na ndihmon mua dhe shokëve të bëhemi më të fortë.”

TRAJNERI – “Duhet të pyesni atë se kush është sekreti i tij. Gasperini është shumë i rëndësishëm për ne. I përgatit shumë mirë ndeshjet dhe na transmeton shumë energji. Po e demonstrojmë që mund të mposhtim çdo skuadër. Në fillim të sezonit kemi vuajtur pak për të siguruar rezultate, ndërsa tani po korrim frytet e punës tonë. Trajneri më kërkon që të mos luaj me shpinë nga porta.”

GOLAT NDAJ JUVENTUSIT – “Nuk e di, ndoshta i shënoj gjithmonë bardhezinjve për shkak se në fillim të aventurës time në Serie A luaja me Napolin. Bëj shaka, por jam me të vërtetë i lumtur. Shpresoj të shënoj në çdo ndeshje dhe jo vetëm kundër bardhezinjve.”

MERKATO – “Më parë nuk më donte askush, tani ndihem mirë dhe të gjithë më kërkojnë. Unë mendoj vetëm për Atalantën dhe ndihem mirë këtu. Dua të vazhdoj të provoj kënaqësi me këtë ekip.”

OBJEKTIVAT – “Shpresojmë të kualifikohemi në Champions. Çdo ndeshje është thelbësore për ne. Nuk duam të vendosim objektiva, por të shohim në fund të sezonit se ku do të mbërrijmë.”

FESTA E KUALIFIKIMIT – “Tifozët bënë të tyren, por dhe ne festuam në dhomat e zhveshjes. Unë u vonova pak, sepse po bëja kontrollin anti-doping, por të gjithë po festonin dhe ishin të lumtur. Por vetëm aty, sepse e dimë që duhet të përgatitemi për ndeshjen e së hënës në kampionat kundër Kaljarit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *