Zaneti: Më vjen keq për Ikardin. Shorti? Shoh diçka pozitive

Goglat rezervuan një short aspak të thjeshtë për Interin. Ekipi i Spaletit do të përballet me Ajntrahtin e Frankfurtit, një ekip që gëzon një formë shumë të mirë dhe që i ka fituar të gjitha ndeshjet europiane deri në këtë fazë të sezonit. Pavarësisht se Interi mbetet favorit, duelet italo-gjermane mbeten gjithmonë të paparashikueshme.

Havier Zaneti ka komentuar shortin e sotëm, duke vlerësuar ekipin nga Frankfurti. Zëvendëspresidenti dhe ish-kapiteni legjendar i Interit ndalet dhe te çështja e Ikardit, për të cilin ka këshillat e duhura.

SHORTI – “Ajntrahti është një kundërshtar i fortë, por është pozitive që do ta luajmë ndeshjen e kthimit në shtëpi. Duhet të përgatitemi mirë për dy ndeshjet kundër gjermanëve, sepse Interi duhet t’i shkojë deri në fund çdo kompeticioni ku merr pjesë. Mund të përmirësohemi akoma dhe kjo është mënyra e duhur për të tentuar kualifikimin kundër Ajntrahtit.”

IKARDI – “Mendoj që Ikardi vazhdon të jetë një lojtar shumë i rëndësishëm për Interin. Shpresoj të kthehet shpejt në fushë dhe të ndihmojë skuadrën. Kur ka probleme në dhomat e zhveshjes, duhet t’i zgjidhim të gjithë bashkë. Vetëm kështu mund të përforcohet grupi dhe të krijohen kushtet e duhura për të fituar. Nuk kam folur personalisht me Mauron dhe më vjen keq për situatën e krijuar. Askush nuk është më i rëndësishëm se skuadra dhe shiriti i kapitenit është i rëndësishëm e sinonim i shembullit perfekt. Këtë gjë e di shumë mirë Bergomi që e ka mbajtur në krah përpara meje dhe unë gjithmonë kam ndjekur shembullin e tij. Shokët e skuadrës të respektojnë për atë që je brenda dhe jashtë fushës.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *