Ylli shqiptar luan në “Anfilld”, por nuk e ka parë asnjëherë Liverpulin

Duket e pabesueshme, por është një histori e vërtetë. Xherdan Shaqiri nuk ka shkelur asnjëherë në qytetin e Liverpulit, edhe pse prej merkatos së verës i është bashkuar skuadrës së Jurgen Klop dhe mbron ngjyrat e “Reds”. Mesfushori me tipare sulmuese vazhdon të jetojë në Mançester, duke shënuar një rast të rallë.

Shqiptari i transferua te Liverpuli për afro 16 milionë euro nga Stouk Siti, por nuk banon në qytetin e skuadrës që përfaqëson. 27-vjeçari shkon në qendrën stërvitore të “Reds”, vetëm duke shfrytëzuar rrugët që kalojnë në periferi të Liverpulit, ndërsa hyn në qendër të qytetit në rastet kur ka ndeshje, ose për t’u akomoduar në hotelin e skuadrës.

Shaqiri tha për gazetën zvicerane “Blick”: “Jetoj ende në Mançester, në të njëjtën shtëpi që kisha kur luaja me Stouk. Për të qenë i sinqertë nuk kam qenë asnjëherë në qendër të Liverpulit, përveçse në zonën ku ndodhet hoteli në të cilin grumbullohet skuadra. Shokët e ekipit më kanë thënë që është disi e vështirë të qëndrosh në qytet, sepse tifozët grumbullohen te lojtarët”.

 

“Nëse është e rrezikshme prej tifozëve të Evertonit? Realisht nuk e di. Mendoj se nëse sillesh si duhet, nuk të ndodh asgjë. Por, të premteve, kur jemi në hotel me ekipin mund të dëgjojmë njerëzit jashtë në mesnatë. Mendoj se xhamat e dritareve në Angli nuk janë aq të trashë sa në Zvicër”.

Shaqiri vlerësoi punën e trajnerit Klop, pavarësisht faktit se ka luajtur shumë pak në formacionin titullar. Ish-lojtari i Bajernit dhe Interit tha: “Kam marrëdhënie shumë të mira me trajnerin, ai arrin ta bëjë shumë zbavitëse punën tonë. Jam i lumtur. Mendoj se jam shumë pranë aktivizimit si titullar te Liverpuli”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *