Ylli i Interit: Krenar që vesh këto ngjyra, nuk kam nevojë për agjent

Milan Skriniar është një nga shtyllat e prapavijës së Interit. Mbrojtësi me paraqitjet e tij ka treguar se është një ndër më të mirët në qarkullim. E ka viti i dytë si zikaltër dhe sllovaku e ka vendin të sigurt në formacion. 24-vjeçari e dashuron klubin ku luan dhe vetëm para pak kohësh ka nënshkruar një kontratë afatgjatë.

Skriniar gjatë një interviste për mediat italiane komenton çështjen e rinovimit dhe bërjes së kësaj proçedure pa ndihmën e një agjenti. Ai shprehet se e ka shkarkuar agjentin e tij. Karikon skuadrën për të bërë një mbyllje të mirë të kampionatit dhe në fund shpreh mirënjohjen e klubit dhe tifozëve për besimin. Vitin tjetër synon që Interi të kapë Juven. Ndaj Napolit kërkon golin e parë të sezonit.

“Ndihem i lumtur që kam nënshkruar një kontratë të re. Jam krenar që do të vesh këto ngjyra edhe për disa vite. Nuk kam nevojë për një agjent. E shkarkova atë para pak kohësh.  Kontratën me Interin e nënshkrova vetë.”

“T’i bëjmë një mbyllje të mirë kampionatit sepse jemi vetëm tre pikë larg Champions League. Të arrijmë këtë objektiv dhe të punojmë fort për sezonin e ardhshëm. Vitin e kaluar kam qenë me fat. Nuk kam pritur një ndikim kaq pozitiv. Klubi dhe tifozët kanë besuar te mua dhe që atëherë i kam luajtur të gjitha ndeshjet.”

“Në Serie A nuk ka ndeshje të lehta. Vitin që vjen duhet ta ngushtojmë boshllëkun me Juventusin. Fillimisht të përqëndrohemi te Napoli në fundjavë. Kam edhe dy ndeshje në dispozicion për të shënuar golin e parë sezonal, ndërkohë që De Vrij ka dy rrjeta”, përfundoi Milan Skriniar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *