Yjet që kanë luajtur së bashku, por pakkush e di: mes tyre edhe legjenda kuqezi

Përpara shumë kohëve shokë ekipi, tashmë kundërshtarë ose ish-lojtarë, rrugët e të cilëve janë ndarë. Kjo është një përmbledhje e bashkë-lojtarëve, të cilët pakkush i kujton. Një udhëtim i bukur në kohë në kampionatet e ndryshëm europianë, në të cilin ndodhet edhe një legjendë e futbollit shqiptar.

Bëhet fjalë për ish-kapitenin kuqezi, Lorik Cana, që përpara 15 viteve ka qenë shok skuadre me një prej lojtarëve më të mirë në histori: Ronaldinjo! Ndërsa ylli brazilian shkëlqente te Paris Seint Zhermen në sezonin 2002-2003 dhe ishte gati të transferohej te Barcelona, përkrah tij luante edhe mesfushori shqiptar.

Atë vit, i cili ishte i pari nga tre, Loriku koleksionoi vetëm tre ndeshje, megjithatë e kujton shumë mirë sezonin kur ishte shok ekipi me Ronaldinjon. E ardhmja e Canës në nivele të larta vazhdoi te Marseja, Sandërlendi, Gallatasaraji e Lacio dhe u shndërrua në liderin e Shqipërisë drejt kualifikimit historik në Euro 2016.

Mes lojtarëve që kanë luajtur së bashku, por që vështirë se tifozët e kujtojnë janë edhe Eden Hazard i Çelsit dhe Pier-Emerik Aubamejang i Arsenalit, të cilët në sezonin 2010-2011 aktivizoheshin te Lila në Francë. Te Sportingu i Lisbonës, në vitin 2002 kur Kristiano Ronaldo debutoi mes profesionistëve aktivizohej edhe mesfushori brazilian Sezar Prates, i cili në një intervistë të kohëve të fundit deklaroi: “I kam mësuar CR7 si i ekzekutoja goditjet e dënimit…”.

Në vitin 2005, te River Plejt luanin dy talente me të ardhme të madhe: i pari ishte 17-vjeçari Gonzalo Higuain, ndërsa tjetri 19-vjeçari Radamel Falkao. Edhe pse titullarë të ekipit në atë periudhë ishin Figueroa e Gajardo, dy kampionët e së ardhmes, edhe pse në moshë fare të re dhe aktivizoheshin nga stoli, arritën të realizonin së bashku 12 gola.

Te Ajaksi i sezonit 2007-2008, aktivizoheshin Luis Suarez dhe Edgar Davids. Ish-mesfushori holandez luante vitin e fundit në nivele të larta në klubin që e kishte zbuluar, ndërsa “El Pistolero” e mbylli sezonin me 19 gola dhe ishte në fillimet e ngritjes. Tjetër dyshe e pazakontë janë Sergio Ramos e Dani Alvesh, të cilët ishin pjesë e Sevijas, ndërsa më pas u shndërruan në rivalë të mëdhenj, gjatë dueleve të “El Clasico”-s, ndërmjet Realit të Madridit dhe Barcelonës.

Në këtë listë të veçantë ndodhen edhe Diego Milito e Domeniko Krishito në sezonin 2004-2005 te Xhenoa, Goran Pandev dhe Mario Jardel te Ankona në edicionin 2003-2004 dhe dyshja polake, Robert Levandovski e Bartoz Berezinski, të cilët në sezonin 2009-2010 aktivizoheshin te Leh Poznani.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *