“Xixat” mes Diego Kostës dhe Grizman: Unë jam shoku yt i skuadrës, jo Umtiti!

Atletiko e Madridit dhe Barcelona u ndanë në një barazim 1-1 në sfidën e së shtunës në mbrëmje dhe Sevilja përfitoi, duke dalë në krye të La Ligës. Një episod i veçantë ka ndodhur gjatë kësaj përballje të fortë dhe “aktori” kryesor ishte Diego Kosta.

Braziliani i natyralizuar si spanjoll është një nga ata lojtarë, për të cilët nuk është e këshillueshme t’i acarosh nga nervat. Nëse ndodh, ai nuk e bën më dallimin midis shokut të skuadrës dhe kundërshtarit. Golashënues, potencë dhe një karakter i ashpër.

30-vjeçari i ka pasion dyluftimet fizike dhe nuk tërhiqet kurrë. Për ta nevrikosur atë ka menduar Samuel Umtiti. Francezi sapo ishte rikthyer te Barcelona nga dëmtimi dhe në një moment ka ndodhur përplasja mes tij dhe sulmuesit të Atletikos.

Aty afër ka qenë dhe Antuan Grizman, i cili ka një miqësi të fortë me mbrojtësin e Barçës dhe është shok skuadre te kombëtarja e Francës me të. Ai ka dashur të qetësojë palët, ndërsa Diego Kosta ka shpërthyer, siç citon “El Mundo Deportivo”.

Shiko se shoku yt i skuadrës jam unë dhe jo Umtiti”, është shprehur sulmuesi i Spanjës. Grizman është përmbajtur dhe i ka bërë me shenjë që të qetësohet dhe të përdorë trurin, por atë është e vështirë ta qetësosh.

Disa minuta më vonë erdhi dhe avantazhi i përkohshëm i ekipit të Simeones dhe goli u shënua nga Diego Kosta. Gjatë festimit të golit, ai është përqafuar me Grizman dhe mes tyre është rikthyer qetësia. Gjëra normale që “lindin” në fushën e blertë dhe po aty “vdesin”, por një lojtar si Diego Kosta nuk duhet ta zemërosh kurrë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *