Xhorxheviç: Kam ofertë nga Besëlidhja, por…

Mesfushori serb është nën kontratë në Serbi dhe në janar do të vendosë për të ardhmen e tij. Lezhjanët më parë rikthyen Bajiç

Bernard Gjikolaj

Besëlidhja ka marrë pushimet dhe do të grumbullohet pas festave të fundvitit. Gjysmën e parë të sezonit 2017-2018 lezhjanët e Besëlidhjes e mbyllën si forcë e tretë e grupit A, me një diferencë prej 11 pikësh me kreun që mbahet nga Kastrioti. Besëlidhja përsëri nuk heq dorë nga objektivi për t’u ngjitur në Superiore dhe për të arritur këtë është premtuar se do të ketë afrime të rëndësishme në ekip. Faktikisht merkatoja e janarit ka nisur që me 1 dhjetor, kur skuadrës në stërvitje i është bashkuar sulmuesi serb Kosta Bajiç. Në bisedime me drejtuesit e Besëlidhjes është edhe mesfushori i majtë Milan Xhorxheviç, që është i njohur në Lezhë, pasi ka veshur fanellën e lezhjanëve që nga janari i vitit 2012 e deri në fund të sezonit 2015-2016. Momentalisht serbi luan me skuadrën OFK të Beogradit dhe për t’u rikthyer i duhet të tërheqë dokumentacionin. “Fanella e Besëlidhjes për mua është shumë e dashur, pasi aty kam luajtur në moshën më të mirë, pra kam pasur kulmin tim në fushën e futbollit. Përveç klubit, mua më pëlqen edhe qyteti dhe njerëzit, pasi aty kam banuar edhe me familjen time, bashkëshorten e vajzën time. Ndaj për atë qytet kam shumë mall, për vetë faktin se kam kaluar shumë mirë. Fazën e parë të këtij sezoni e mbylla tek OFK i Beogradit, një skuadër shumë e njohur e futbollit serb dhe e Jugosllavisë së dikurshme. Kam një ofertë nga Besëlidhja, por ende jam në mes të OFK-së dhe Besëlidhjes. Do të vendos pas festave. Duke përfituar nga kjo intervistë, dua që futbollistëve, drejtuesve teknik, presidentit, po ashtu edhe gjithë tifozerisë lezhjane, e në veçanti fansave të mi të mrekullueshëm, t’iu uroj gëzuar vitin e ri 2018 ”, – tha mesfushori serb, Milan Xhorxheviç.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *