Xhevahirët e Partizanit, kush mund të largohet në verë?

Drejtuesit do të synojnë të përsërisin rastin e Ramadanit. Mala, Bardhi dhe Trashi janë emrat potencialë që të kuqtë synojnë të shesin

Partizani i ka ende llogaritë e hapura me sezonin aktual, pasi drejtuesit e kuq synojnë arritjen në Europë. Trajneri Klevis Dalipi dhe lojtarët e dinë se kjo është mënyra e vetme për të konsideruar të shpëtuar sezonin aktual dhe të punojnë për sezonin e ri. “Demat” do të jenë pjesë e një revolucioni masiv në verë, kjo dihet. Shumë lojtarë pritet t’i japin lamtumirën skuadrës kryeqytetase, duke vazhduar me ideologjinë e janarit, por drejtuesit e kryeqytetasve shpresojnë të ketë dhe prej atyre largimeve të frytshme që mund të sjellin të ardhura të konsiderueshme në arkat e klubit. Të kuqtë duan të përsërisin rastin e mesfushorit Ylber Ramadani, ky i fundit u largua drejt Veljes në kategorinë e dytë daneze. 3 janë “xhevahirët” e mundshëm të kryeqytetasve këtë merkato.

TRASHI – Mesfushori është një ndër emrat më të lakuar t’u larguar nga klubi në merkaton e verës. Lojtari pati probleme dhe me ish-teknikun e tij Sulejman Starova. Krisja me klubin nuk filloi këtu, por që në merkaton e janarit, kur një klub turk bëri ofertë zyrtare për mesfushorin. Presidenti Demi nuk e la të lirë, pasi besonte se Moxhi do e shiste më shtrenjtë dhe më lart, gabim strategjik i “demave”. Kapitull i mbyllur, tani një dritare e re do të jetë për Trashin në merkaton e verës dhe klubi synon që ta shesë, pasi mund të jetë merkatoja e fundit që mund të shfaqet interes për gramshiotin. Ai nuk ka luajtur asnjëherë jashtë Shqipërie, nuk është pjesë e Kombëtares shqiptare dhe fakti që është 25-vjeç e penalizon, pasi nuk konsiderohet më i ri.

BARDHI – Konsiderohet prej 2-3 vitesh si talent në radhët e Partizanit, por mesfushori ka gjetur vazhdimësi vetëm këtë edicion. 20-vjeçari po zhvillon një kampionat të mirë dhe po pompohet nga kryeqytetasit. Drejtuesit e klubit, por dhe vetë lojtari, synojnë ta kalojnë në një kampionat më të fortë. Minuset janë të mëdha, por të dhënat e mira dhe mosha e re mund të ndikojnë që futbollisti të bëjë hapin e madh në karrierë. Fakti se luan me Shpresat e Shqipërisë dhe ka treguar veten me Partizanin në arenën ndërkombëtare i jep përparësi.

MALA – Kosovari është “ylli” që po shndrit këtë sezon. Mesfushori u afrua në janar në kampionatin shqiptar. Pas dëmtimit të Telushit mori një mundësi të mirë dhe e shfrytëzoi, pasi është kthyer në lojtar të rëndësishëm të ekipit të kuq. 8 ndeshje si titullar kanë mjaftuar për të treguar veten dhe për të bindur të madh dhe të vogël se ky futbollist vlen! Merkatoja e verës është pranë, ku i dihet? Mbase Mala mund të jetë Ramadani i ri, pavarësisht se ka mungesë eksperiencë dhe nuk ka patur mundësi të tregojë veten në arenën ndërkombëtare, por mos harroni se është vetëm 19 vjeç.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *