Xherrard nuk ka dyshime: Ky Liverpul është më i fortë se ai i dikurshmi!

Ishte 1 korriku i këtij viti kur Rejnxhërs zyrtarizoi trajnerin e saj të ri. Stiven Xherrard, legjenda e mesfushës angleze dhe padyshim e Liverpulit merr drejtimin e skocezëve dhe nis karrierën e tij si trajner.

Momentalisht numëron vetëm një humbje, atë në derbi ndaj Sëlltik, në fushën e këtyre të fundit 1-0. Vendi i dytë në kampionat, ajo çfarë është më e rëndësishme, për momentin janë përpara Sëlltik. Debutim në Europa Ligë, duke i marrë një barazim në Spanjë, Vilarealit. Stiven Xherrard nuk mund të kishte ëndërruar fillim më të mirë.

Gjithsesi tekniku anglez njihet si simbol i klubit të Liverpul. Pengu i tij më i madh mbeti fitimi i Premier Ligë, të cilën nuk arriti ta ngrinte asnjëherë edhe pse shkoi shumë pranë në vitin 2014, ku e humbi vetëm në 2 javët e fundit vendin e parë. Xherrard është rikthyer të flasë për Liverpulin e tij dhe për ecurinë që “The Reds” po tregojnë këtë sezon, ku janë me pikë të plota në krye të Premier Ligë pas 6 javësh.

Ish-kapiteni ka thënë për mediat angleze, se e shikon ekipin aktual të Klop, më të fortë se ekipi ku ai aktivizohej në 2014. Gjithashtu Xherrard tha se e vetmja gjë që e tremb tek ky Liverpul, është fakti se lojtarët nuk kanë shumë eksperiencë.

“Unë shikoj Liverpulin tani dhe nuk mund të gjej ndonjë dobësi. Janë me të vërtetë një ekip shumë i fortë. Mund të them se është shumë më i fortë se skuadra që kam luajtur unë. E vetmja gjë që ata nuk kanë në favorin e tyre është përvoja. Kjo gjë u vu re edhe vitin e shkuar në finalen e Champions. Gjithsesi kam shumë besim tek ata këtë sezon”, tha Xherrard për “BBC Radio 5”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *