Xhemalaj gjen “fajtorin”: Ja pse Erzeni u fik në fazën e tretë

Në fazën e tretë të Kategorisë së Parë, Erzeni nuk tregoi më atë ekip dhe forcën që shfaqi në dy fazat e para, ku renditej në vendin e dytë dhe pretendonte se do rivalizonte Vllazninë për kreun. Orjan Xhemalaj, kapiteni i shijakasve, ia faturon formulës së kampionatit këtë rënie të ekipit shijakas.

Për SportEkspres.com, mesfushori deklaron se gjithsesi gara do respektohet deri në fund. “Ne dolëm nga synimet tona që në mbyllje të fazës së dytë. Kjo fazë e tretë duket si e dështuar. Formula na ka zbehur motivimin në garë, por ne do të rezistojmë deri në fund me dinjitet”, deklaron kapiteni i Erzenit.

Ndërsa për ndeshjen e radhës me Korabin në transfertë, Xhemalaj deklaron se ai dhe shokët e tij do të japin maksimumin, edhe pse është një transfertë e vështirë ndaj një rivali direkt në renditje. “Në Peshkopi do shkojmë për të dhënë maksimumin tonë. E dimë se është një transfertë e vështirë dhe Korabi tashmë duket si rival me ne në renditje, kështu që synimi ynë nuk do të jetë vetëm loja e mirë, por edhe rezultati pozitiv”, përfundoi Xhemalaj.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *