Xhelal Kalaja, ai që kërkon të ringjallë talentet shqiptare

0

 

Nga Virtus Basket Fondi në Tiranë për t’i shërbyer të ardhmes së basketbollit vendës, ndërsa do të jetë pjesë e projektit të Shkollave të Basketbollit shpallur që në mars nga Ministria e Arsimit dhe Sportit

 

“Lal Kalaja mos na lërë”. Kjo ka qenë thirrja e lojtarëve të Virtus Basket Fondit në fund të sezonit 2014-2015, që edhe sot, pas gati tre muajsh, e bën përsëri të lotohet dhe të emocionet Xhelal Kalanë. 65-vjeçari, i cili prej 18 vjetësh kishte emigruar në Itali, ka vendosur të kthehet në Tiranë me projekte të qarta për të ndihmuar zhvillimin e moshave të basketbollit në vend dhe për të ringjallur talentet e basketbollit shqiptar. Do të jetë pjesë e projektit për Shkollat e Basketbollit, që është shpallur që më 7 mars të këtij viti nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, në marrëveshjen e bashkëpunimit që ka firmosur me presidentin e Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari. Xhelal Kalaja vjen nga një familje basketbollistësh me traditë në Shkodër, ndërsa ka luajtur deri në 1979. Dhe në moshën 29-vjeçare do të niste rrugën e gjatë të arbitrimit, ndërsa me bilbil do të ishte në parket deri më 1997-ën kohë në të cilën vendos të largohet në Itali atje ku do të vendosej në Rajonin e Lacios në zonën e Latinës. Në arbitrim ka qenë përkrah figurave të tilla si Virgjil Karaja, Rudolf Cici, Jorgji Shundi, Shpëtim Bozdo, Faruk Rizvanolli, Tomorr Asnjoku, Shefqet Bekteshi etj. Dhe për gjithçka që ka bërë në basketbollin shqiptar si lojtar dhe si gjyqtar, apo dhe në Itali si trajner, e çfarë do të bëjë në të ardhmen, Xhelal Kalaja ka pranuar ta rrëfejë në një intervistë të gjatë për Gazetën “Sport Ekspres”.

  • Shpeshherë njerëzit në Shqipëri harrojnë për figurat e sportit e në veçanti për ato të basketbollit. Cili është Xhelal Kalaja?
  • Unë e kam nisur basketbollin më 1963, ndërsa në Spartakiadën e Pionerëve, teksa isha me trajner Petrit Osmanin, jam shpallur lojtari më i mirë i aktivitetit. Më pas kam luajtur me të rinjtë, atje ku jam vlerësuar 2-3 herë. Dhe kulmi është më 1972 jam pjesë e Vllaznisë në ndeshjen ndaj Gallatasarajit në Kupën e Kupës. Në Stamboll jam vlerësuar me katër nga pesë yje si lojtari më i mirë në fushë. Dhe gjithçka ka vazhduar deri më 1979.
  • Cilat kanë qenë kulmet e karrierës si lojtar?
  • Gjithnjë në vendin e dytë si në kampionat, ashtu dhe në Kupat e Republikës, sepse Partizani asokohe i merrte të gjitha.
  • Dhe çfarë iu shtyu që vazhduat me gjykimin?
  • Asgjë më shumë se sa pasioni. Janë plot 18 vjet në parket që nga 1979 në 1997, ndërsa kam marrë 4-5 diploma si gjyqtari më i mirë i aktivitetit. Por asnjëherë nuk u bërë ndërkombëtar, çka do ta kisha dashur shumë, për arsye që nuk ka nevojë t’i bëjë të ditura.
  • Në përgjithësi fëmijët drejtohen nga futbolli, ju çfarë iu shtyu që u morët me basketbollin?
  • Ne e kemi traditë si familje, aq më tepër që vëllai im, Valter Kalaja, është marrë me basketboll. Madje që 5 vjeç më merrnin me vete me ekipin. Dhe qëndroja pranë shoferit në sediljen e parë, ndërsa ishte si një kupë e vogël për Vllazninë. E thënë ndryshe, kam qenë si një shans për atë skuadër, ndaj dhe vazhdova traditën e basketbollit. Më pas në Kupën e Kupave kam luajtur me Vllazninë më 1972.
  • Disa nga bashkohësit tuaj në parket…
  • Dhimitër Topi, Zef Gjoni, Renato Radoja, Petrit Osmani, Lorenc Mosi, Hydajet Kotrri, Asllan Gjyrezi, Agim Halili, Angjelin Shiroka. Këto janë lojtarët e kohës sime si basketbollist.
  • Një lojtar me famë të madhe, gjyqtar me emër në Shqipëri, pse duhej të largohej më 1997-ën nga Shqipëria?
  • Sepse nuk mund të shihja më të vriteshin njerëz të pafajshëm nëpër rrugë. Kërkoja më tepër siguri për familjen time dhe e vetmia zgjidhje ishte të shkoja në Itali.
  • Veçse nuk iu priste një shesh me lule në Itali…
  • E vërtetë më është dashur që për tre muaj të bind të tjerët se jam vërtetë mësues fizkulture, trajner basketbolli. Ka mjaftuar një bashkëbisedim me një koleg timin, por dhe një intervistë në televizionin lokal të Latinës që të bëhej reklama. E kishte dëgjuar Marçelo Zonda, i cili ishte bërë gati të më jepte ndonjë ekip. Por ndërkohë presidenti i Virtus Basket Fondit, Luka Romano, u bind që duhej të isha pjesë e tij.
  • E si vazhdojë më tutje…
  • Më 3 shtator 1997 unë kam marrë ekipin e shtatëmbëdhjetëvjeçarëve të këtij klubi. Më pas me skuadrën e parë në Promocion jam në rolin e trajnerit e mandej kur ekipi u ngjit në C2 jam ndihmëstrajner. Por mbi të gjitha kam qenë përgjegjësi i sektorit të të rinjve. Për dy sezone 2013-2014 dhe 2014-2015 e kam drejtuar këtë skuadër në Serinë B.
  • Tashmë në Tiranë, cilat janë projektet e juaja?
  • Unë kam ardhur që të punoj me të rinjtë, sepse ato janë e ardhmja e basketbollit shqiptar. Kam parë dhe pjesëmarrjen e ekipeve tona kombëtare në basketboll dhe vë re se ka shumë mangësi. Nëse punohet mirë me një grup djeshm të cilët premtojnë për të ardhmen basketbolli do të eci përpara. Dhe këtu duhet këmbëngulur shumë gjatë. Aq më shumë që unë do të jem dhe pjesë e projektit e shkollave të basketbollit.
  • Megjithatë që të eci përpara basketbolli duhet të jetë dhe infrastruktura. Ju e keni lënë sikur ka qenë më 1997-ën gjendjen e fushave në Shqipëri…
  • Është e vërtetë që infrastruktura është thembra e akilit. Është për të ardhur keq që ka ndodhur kështu. Basketbolli në Shqipëri nuk e meriton këtë gjendje. Dëshira është e madhe për të bërë gjëra të mira, por duhet infrastruktura.
  • Cila është mbështetja e Federatës Shqiptare të Basketbollit për projektet tuaja?
  • Historikisht i kam pasur të shkëlqyera marrëdhëniet me sekretarët e Federatës Shqiptare të Basketbollit, siç edhe po ndodh aktualisht. Kam qenë anëtar i kolegjiumit të arbitrave. Nuk duhet të harroni që jam shpallur arbitri më i mirë në zonën e Lacios, si dhe trajneri më i mirë në Latina.
  • E si jeni ndarë me ta në fakt…?
  • Në ndeshjen e fundit para se skuadra të hynte në fushë kam lajmëruar lojtarët, presidentin dhe të gjithë stafin që kjo është ndeshja ime e fundit në këtë pankinë. Të gjithë shtangën, sepse nuk e prisnin këtë vendim timin. Në kthim, në autobus, një nga lojtarët ka marrë mikrofonin dhe për nderin tim ka vënë një këngë shqipe. E nga mbrapa dëgjoj: Lal Kalaja mos na lërë (emocionohet e loton). Por unë e kisha ndarë që pas 18 vjetësh duhet të kthehem në Shqipëri.
  • Së fundi, diçka për Vllazninë…
  • Kam dëgjuar që ka probleme dhe basketbolli në Shkodër nuk është duke shkuar në ato nivele që i takon. Duhet dikush të ndërhyjë që Vllaznia të vazhdojë të jetë në majat e sportit të koshit në vend.

 

Gjergj Vyshka

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image