Xhejms: Skënderbeun s’e ndal kush, titulli çështje kohe

Për nigerianin e bardhekuqve çështja e titullit është e mbyllur. Ai thekson se në kampionat që në dhjetor luhet vetëm për vendin e dytë

Leonard Trebicka

Xhejms Adeni është kthyer në një nga shtyllat kryesore të Skënderbeut. Sulmuesi afrikan, bashkë me Gavazajn dhe Ali Soue, formon një treshe të frikshme për çdo skuadër kundërshtare. ë. Forma e lojtarit nigerian ka bërë që trajneri Daja të mos e ndajë nga formacioni, madje edhe kur atë e kanë kritikuar. Një ditë pas fitores më të fundit ndaj Laçit, me rezultatin 4-0, Xhejms ka dhënë një intervistë për “Sport Ekspres”, ku thekson se askush nuk mund ta përballojë Skënderbeun:

– Xhejms, a e kishit menduar se do të fitonit aq lehtë dhe aq thellë ndaj Laçit?

– Nuk ishte një ndeshje e lehtë. Përpara fillimit të takimit e kishim vlerësuar skuadrën kundërshtare, por gjatë lojës na u bë gjithçka më e lehtë, kjo për meritën tonë. Kemi një skuadër super dhe këtë e kemi treguar qartë në fushë, jo vetëm në këtë ndeshje, por gjatë gjithë sezonit. Besoj se kështu do ta mbyllim, me këtë ritëm dhe me këtë diferencë.

– Cili është sekreti i këtij Skënderbeu, që po dominon Superioren?

– Ky Skënderbe nuk është formuar sot dhe të them çfarë sekreti ka. Jemi një skuadër e madhe, me histori tashmë edhe në Europë, ndërsa në kampionatin shqiptar dominojmë dukshëm. Është investuar shumë për këtë ekip, që ka një grup shumë të mirë lojtarësh. Skënderbeu ka një grup prej 25 lojtarësh dhe të gjithë janë të gatshëm të luajnë që nga fillimi. Grupi është shumë kompakt dhe e them me bindje se askush nuk e ndal këtë Skënderbe.

– Ndaj Laçit shënoi dy gola Soue, shënuan edhe Krasniqi dhe Aliti, por ju nuk mundët ta bënit këtë gjë…

– Tek ekipi që unë luaj shënojnë të gjithë dhe këtë e kemi treguar edhe vitet e kaluara. Nuk është e rëndësishme kush shënon, e rëndësishme është të fitojmë javë pas jave dhe ta mbyllim sa më parë çështjen e titullit. Më vjen mirë që shënuan tre lojtarë në këtë fitore. Nuk është ndonjë problem që nuk shënova. Bëra lojën time dhe mendoj se i shërbeva ekipit.

– Aktivizimi i rregullt te Skënderbeu në 23 javë dhe 5 gola të shënuar. Si do ta vlerësonit sezonin tuaj?

– Është një sezon vërtet i mirë për mua dhe Skënderbeun. Këtë e kam arritur me punë dhe jam munduar ta justifikoj besimin që më ka dhënë trajneri Ilir Daja. Do të vazhdoj deri në fund në këtë rrugë dhe besoj shumë të arrijmë atë që është më e rëndësishme, titullin kampion, pse jo dhe Kupën e Shqipërisë.

– Janë edhe 13 javë, pse jeni kaq i bindur se titulli kampion ka përfunduar?

– Është vetëm çështje matematike, pasi e kemi mbyllur që në fillim sezonin. Po të shikoni deklaratat e rivalëve tanë, ata janë të bindur plotësisht se luftohet vetëm për vendin e dytë, pasi kreu është pronë e jona. Presim vetëm matematikën për ta sjellë trofeun në Korçë.

– Në ndeshjen e fundit Skënderbeu “shpartalloi” Laçin, ish-ekipin tuaj…

– Jam pjesë e Skënderbeut prej disa vitesh dhe nuk është se kam ardhur sot te kjo skuadër. Jemi lojtarë profesionistë. Laçit i uroj suksese dhe besoj shumë se do të jetë një skuadër e denjë për të luajtur në Europa League. Kur flitet për Laçin, kam mall, pasi kam kaluar vite vërtet të bukura.

– Kukësi, Flamurtarit dhe të tjerët me radhë. Kush është rivali juaj më i fortë?

– Nuk më intereson kush renditet pas nesh në fund të sezonit, më intereson vetëm Skënderbeu. Ne nuk shohim asnjëherë prapa. Jemi një skuadër me mentalitet fituesi.

– Flasim pak për atë që pritet të ndodhë me dënimin e shumëpërfolur nga UEFA. Cili është komenti juaj?

– Nuk jam unë njeriu që mund të komentoj gjëra të tilla. Jam lojtar i Skënderbeut dhe flas vetëm për ekipin tim. Detyra ime është të luaj sa më mirë dhe të jap sa më shumë në fushë. Të tjerat u përkasin drejtuesve.

– A e meriton Skënderbe të vazhdojë të luajë në Europë?

– Sigurisht që po. Skënderbeu është një skuadër me emër tashmë edhe në Europë. Jemi futur dy herë në grupet e Europa League dhe këtë sezon synojmë grupet e Championsit. Skënderbeun nuk e mendoj kurrë jashtë Europës.

– Ndeshja e radhës është në Korçë, ku prisni Lushnjën. Një ndeshje e lehtë kjo, apo jo?

– Kurrë nuk kemi thënë se kemi përballë ekip të lehtë apo të fortë. Për ne edhe Lushnja është njësoj si të tjerët dhe vlerësimi është i madh për çdo kundërshtar. Në fund të fundit, edhe kjo ndeshje vlen 3 pikë. Nuk tolerojmë në asnjë ndeshje. Do të vazhdojmë me këtë ritëm, duke treguar se Skënderbeu është ekipi më i mirë në Shqipëri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *