Xhejms: Barazimi djeg, Meta ndikoi

0

Leonard Trebicka

Xhejms Adeniji, sulmuesi nigerian i Skënderbeut, pranon se skuadra e tij bëri një hap fals me Kukësin, por thekson se ka shumë ndeshje deri në kampionatit, ndaj gara për titull mbetet e hapur. Duke u dhënë zemër të tijve dhe duke besuar te një tjetër titull kampion, në intervistën për “Sport Ekspres” ka folur për barazimin e fundit, rivalët, gjendjen e Skënderbeut dhe shpresën për trofeun e radhës.

-Xhejms, sa i ka kushtuar Skënderbeut barazimi i fundit në rrugën drejt titullit kampion?

-Barazime të tilla djegin shumë, sidomos kur merren në shtëpi. Ishte një hap fals, pasi të gjithë prisnin fitoren nga ne dhe nuk ia dolëm vetëm në momentet e fundit. Kur e menduam se fitorja ishte e jona, pikërisht në atë moment Kukësi na barazoi. Me plot gojën them se lamë dy pikë në këtë ndeshje ndaj një rivali direkt për titull.

-Ku gaboi Skënderbeu në këtë ndeshje?

-Pikërisht në minutën e 89-të, atëherë kur duhet të ishim më të kujdesshëm në prapavijë. Gjithashtu edhe se nuk shënuam dot golin e sigurisë. Duhet të mos i linim hapësira prapa kundërshtarit. Kukësi e shfrytëzoi atë moment dhe na ndëshkoi.

-Shumë momente të diskutueshme nga gjyqtari Kridens Meta në dëmin tuaj. Keni ndonjë koment?

-Nuk dëshiroj shumë që të merrem me gjyqtarët, por Meta këtë herë ndikoi shumë. E kanë parë të gjithë, duke filluar nga 11-metërshi që nuk e dha, e deri te shumë faulle. Ai ishte shumë i diskutueshëm. Pamjet flasin vetë dhe nuk ka nevojë që t’i komentoj unë. Nuk është hera e parë që këtë sezon gjyqtarët i kemi kundër.

-Me këtë hap fals, i keni thënë lamtumirë titullit kampion?

-Kush tha që i kemi thënë lamtumirë titullit? Janë edhe 10 javë për t’u luajtur deri në fund, me 30 pikë që janë ende në lojë. Nëse gabojmë edhe në këto javë, atëherë mund të dorëzohemi, por ne nuk do ta bëjmë në asnjë moment një gjë të tillë, aq më tepër kur jemi vetëm dy pikë larg kreut. Kemi pasur vitet e kaluara edhe më shumë pikë diferencë me kreun, por kemi arritur t’i rikuperojmë. Unë besoj shumë që deri në sekondën e fundit të këtij sezoni do vazhdojmë të jemi pretendentë për titullin.

Kalendari nuk është i favorshëm. Këtë herë luani ndaj Partizanit në transfertë. Ç’mund të na thoni?

-Çdo ndeshje është e vështirë, siç do të jetë edhe kjo ndaj Partizanit. Nuk duhet të mendojmë barazimin e fundit, pasi do të gabonim nëse e bëjmë një gjë të tillë. Për ne Kukësi iku dhe duhet të përqendrohemi vetëm te Partizani. Do të jetë një tjetër ndeshje ndaj një rivali dhe, nëse ne marrim rezultat pozitiv, atëherë situata do të kthehet në favorin tonë. Asgjë nuk ka përfunduar, por duhet të punojmë shumë në mënyrë që të tregojmë se Skënderbeu është Skënderbe.

-Flamurtari transferta e radhës, dhe kalendari që vjen e vështirësohet…

-Të mendojmë vetëm për Partizanin, pasi për Flamurtarin ka kohë, madje edhe për ndeshjet e tjera. Nëse arrijmë të marrim një rezultat të mirë në kryeqytet, atëherë edhe morali do të jetë edhe më i lartë.

-Kukësi apo Partizani, cilën skuadër keni më shumë frikë?

-Ne nuk ja kemi frikën asnjë skuadre, por realisht nuk i kemi shfrytëzuar deri tani përballjet me ta. Ndoshta me Partizanin do të jetë dita jonë dhe ajo ndeshje mund të na kthejë sërish besimin e madh për titullin kampion.

-A mos ndoshta morali për titullin te Skënderbeu ka rënë?

-Jo aspak. Skënderbeu është mësuar me situata të tilla dhe unë personalisht besoj shumë te ky titull i radhës kampion. E kemi potencialin që të mos demoralizohemi, por të fillojmë nga java e ardhshme kthesën e madhe për t’i treguar Superiores që jemi sërish të njëjtë, sa i përket titujve kampionë.  

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here