“Xhamia dhe kisha e lojtarëve shqiptarë”! Ka një Igli Tare, por mos harroni që ka edhe një Besnik Prenga

Nga Klaudio Ndreca

“Koha e futbollit punon për shqiptarët, mos e harroni”. Kështu shprehet vazhdimisht trajneri i Kosovës U-21, Rafet Prekazi, që sheh një të ardhme të ndritur përpara. Kur e sheh me vëmendje elementet dhe talentet e spikatura të Kombëtares tonë në veçanti në Europë, shihet fare qartë se ka një prurje jo të zakonshme.

Të shumtë në numër dhe që stërviten dhe mbrojnë fanella me shumë peshë në Europë. E që koha të punojë për shqiptarët, janë disa persona që po punojnë në veçanti, për t’i rrotulluar akrepat në favorin tonë.

Investime të mëdha po bëhen edhe në futbollin tonë, që vite më parë do të ishin ndoshta edhe të pamendura. Pra një rritje të nivelit, ndërsa edhe figurat tona “me kollare” që e transmetojnë produktin nga Shqipëria në Europë i kemi të nivelit të lartë.

Gjithmonë njeriu që përmendet në këtë detyrë është Igli Tare, që faktikisht i gjurmon lojtarët shqiptarë në Itali, Gjermani, Belgjikë dhe gjetkë për t’i dërguar te Lacio. Shumë komplimente dhe vlerësime meriton dhe i ka marrë gjithmonë, por atë që nuk duhet të harrojmë është Besnik Prenga.

Si mundet? Kurrsesi! Ky njeri ka bërë që Lokomotiva e Zagrebit të flasë shqip, që të ishte një nga ekipet e para që të na ndihmonte edhe në katastrofa si e tërmetit, që kjo skuadër e njohur në elitën kroate të ketë 5-6 lojtarë shqiptarë në përbërje të ekipit të parë dhe shumë të tjerë tek të rinjtë.

Madje Prenga vazhdon të ndjekë Superioren dhe ka shënuar në listë të tjerë emra, që mund ta bëjnë kalimin e tyre në merkaton e verës në Kroaci. Një punëtor i heshtur dhe me vepra të jashtëzakonshme, që ndikojnë direkt jo vetëm në forcimin e skuadrës së Lokomotivës së Zagrebit, por edhe në ndihmën që i jep Shqipërisë. Praktikisht ishim duke folur për “xhaminë dhe kishën ku falen lojtarët shqiptarë”. Po, koha punon për ne, edhe falë Tares me Prengën… /Sport Ekspres/