Xhaka dhe marrëdhënia e krisur me Arsenalin, mesfushori kërkon për apartament në Milano

E ardhmja e Granit Xhakës duket se do të jetë larg Arsenalit, pasi ai episod në ndeshjen kundër Crystal Palace e ka thyer plotësisht marrëdhënien e tij me tifozët e topçinjve, që për hir të së vërtetës kishte kohë që ishte e ftohtë. Koret kundër tij, kritikat për lojën e Xhakës, kënë bërë që ky i fundit të kthehej kundër tifozerisë së tij, madje shkoi deri në atë pikë sa vendosi të heqë edhe fanellën e Arsenalit.

Shiriti i kapitenit nuk është më në krahun e tij, ndërsa as vetë futbollisti shqiptar nuk ka qenë prezent në ndeshjet e fundit, pasi ende nuk ndihet gati të dalë në fushë pas asaj që ndodhi. Xhaka është shprehur të jetë lënduar thellësisht nga sjellja e mbështetësve të klubit londinez dhe e gjitha kjo të shpie drejt një zgjidhje të vetme: Largimi nga Arsenal. Mesfushori shqiptar përflitet se në janar do të vishet kuqezi, madje bëhet e ditur se nuk ka humbur kohë, por ka nisur të kërkojë edhe shtëpinë e re në Milano. Gazidis, i cili ishte më parë pjesë e stafit të Arsenalit, po përpiqet ta sjellë në Itali, ndërsa vetë trajneri Emery e ka nënkuptuar se në merkaton e dimrit Xhaka mund të largohet nga topçinjtë. Të gjitha këto së bashku bëjnë që Milani të jetë destinacioni i radhës për Granit Xhakën./Sport Ekspres/