Watford në finalen e Kupës FA, portieri mesazh për Elton John: Anulo koncertin!

Elton Xhon është njeriu që e ringriti ekipin e Uatfordit shumë kohë më parë, teksa tashmë ata do të luajnë në finalen e “FA Cup” ndaj Mançester Sitit, sfidë që do të luhet në 18 maj. Lidhur me këtë ndeshje, portieri Ben Foster ka një kërkesë të veçantë për ish-presidentin.

Elton Xhon në datën 18 maj ka një koncert në Danimarkë, Kopenhagen dhe do ta ketë thuajse të pamundur ta shohë finalen. Kështu, Foster ka bërë një kërkesë ndaj këngëtarit të famshëm, ku ka thënë se duhet ta anulojë koncertin dhe të mos e humbasë për asgjë në Botë finalen e Kupës.

“Nuk ka pse të ketë dilema. Duhet ta anulojë menjëherë. Kam miq që kanë pasur dasmat në atë ditë si dhe gjëra të tjera me rëndësi. Është faj i tyre, nuk mund të planifikosh asgjë në ditën e finales së Kupës. E di që nuk e keni pritur diçka të tillë në fillim të sezonit. Tani kemi shansin të bëjmë diçka. Kështu që Elton duhet ta anulojë koncertin, më falni djema.”
HISTORIA ME PORTIERËT

Do të jetë mundësia e dytë në histori për të fituar një trofe madhor për londinezët, që në portë deri tani në kupë kanë pasur brazilianin Heureljo Gomesh.

Tashmë 38 vjeç, Gomesh nuk ka luajtur asnjë ndeshje kampionati këtë sezon dhe ka luajtur vetëm në kupa, sipas zakonit në shumicën e klubeve.

Natyrisht, me finalen në horizont, gazetarët kanë ngacmuar titullarin Ben Foster, nëse do të jetë ai në finale, por përgjigja e portierit 36-vjeçar, “ish” i Anglisë, ka qenë fantastike: “Do refuzoj absolutisht! Heureljo Gomesh e meriton të luajë dhe do të luajë, pa asnjë dyshim. Ai nuk e ka zhgënjyer kurrë klubin dhe nuk do ta zhgënjejë kurrë. Ishte fantastik sot dhe ishte mallëngjyese ta shihje kur gëzonte si fëmijë“.

Vetë Gomesh deklaroi për këtë çështje: “Unë edhe kështu kam marrë më shumë nga sa meritoj. I kam thënë klubit që jam këtu për të dhënë ndihmën time, nuk ka rëndësi kush do luajë në finale”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *