Vuajtjet në Greqi dhe periudha pas dënimit, Bare hap “zemrën”

Keidi Bare është nga ata fëmijë që e kanë nisur futbollin nga rruga. Apolonia, Atletiko e Madridit dhe Malaga. Ky është rrugëtimi i fierakut, i cili ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit te Shqipëria U21. Mesfushori është vënë në qendër të vëmendjes nga mediat spanjolle, teksa këtë herë flet në “Movistar +” në programin “SuperSegunda”.

Bare e ka treguar edhe më parë: “Prindërit më kanë thënë, se nëse dua diçka më të mirë, duhet të iki nga Shqipëria. Mesfushori u zhvendos në Greqi dhe ka edhe një pasaportë të këtij shteti. Sigurisht periudha kur jetonte atje pa prindërit ka qenë e vështirë.

“Qaja çdo ditë, isha ende fëmijë dhe nuk kisha familjen pranë. Ishte shumë e vështirë. Nuk dija gjuhën, asgjë, vuaja shumë. Bëra gjithçka për futbollin dhe prindërit e mi sakrifikuan për një jetë më të mirë”, tregon Bare, i cili u rikthye në Shqipëri dhe luajti për Apoloninë e qytetit të tij. Vetëm tre ndeshje me bardhejeshilët, por mos të harrojmë se ka debutuar vetëm 16 vjeç në kampionat.

Bare ka përjetuar një ëndërr me kalimin në Spanjë, ku u bë pjesë e Atletikos së Madridit. Fernando Torres ishte një idhull për mesfushorin, që zbulon detaje interesante. “Idhulli im kur isha i vogël ka qene Fernando Torres. Madje kisha edhe një profil në ‘Facebook’ me emrin e tij. Shikoni si ndryshon jeta, pak vite më vonë isha në të njëjtën dhomë zhveshjeje me të”, shprehet mesfushori.

Edhe në Spanjë ka pasur vështirësitë e veta. Pezullimi prej 9 ndeshjesh pas një takimi me Atletikon B, e ka bërë të ndihet keq Baren: “Familja ime u shtang, sepse unë nuk jam i tillë. Ishin muajt më të këqij të jetës sime. Jam penduar dhe i kam kërkuar falje arbitrit. Nuk do ta bëj kurrë më diçka të tillë”.

Mesfushori flet edhe për Diego Simeonen: “Më ka mbështetur gjithnjë, më ka dhënë besim”. Gjatë karrierës së tij, Bare ka pasur krahun e tij të djathtë Artanin, babain e tij. Edhe ai ka luajtur vetë futboll, duke mbajtur veshur fanellën e Apolonisë. “Isha krenar kur shihja babain tim që më ndiqte kudo, në stërvitje e ndeshje. Të gjithë më thonë që ka qenë një futbollist i zoti, që shënonte gola, por i them që është gënjeshtër (qesh). Tani dua të kem sukses jo thjesht për vete, por edhe për prindërit e mi”, përfundon Bare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *