Votojnë trajnerët: Kamza dhe Bylisi në Superiore

0

Kategoria e Parë mbyllet këtë fundjavë, të paktën sa i takon skuadrave që ngjiten në Superiore, pasi më pas do të ketë një finale mes ekipeve që renditen të parat dhe “play-ou” për ekipet që renditen në vendin e parafundit.

KAMZA – BESËLIDHJA

Fillimisht sytë janë drejtuar nga Kamza, aty ku vendasit do të presin Besëlidhjen, rivalen e tyre gjatë gjithë këtij kampionati, Në tre përballjet e tyre të mëparshme vetëm njëra ka nxjerrë fitues, konkretisht në fazën e parë, kur kamzalinjtë fitonin me rezultatin 1-3 në Lezhë. Dy sfidat e tjera janë mbyllur në barazim pa gola, ndërkohë që tanimë Kamza ka në dorë të rikthehet në Superiore qoftë edhe me një barazim. Për këtë përballje, “Sport Ekspres” ka zhvilluar edhe një sondazh, ku janë pyetur trajnerët e ekipeve rivale në fazën e tretë dhe ata anojnë nga Kamza. Trajneri i Erzenit, Dorian Bubeqi, si dhe Eduart Tanushi, që ka drejtuar Burrelin deri në ndeshjen me Kamzën, parashikojnë se kjo përballje do të përfundojë barazim dhe ky rezultat shkon në favor të Kamëz. Për Alert Alcanin, ish-trajnerin e Shënkollit, është e vështirë të bëjë një parashikim dhe do dëshironte që Besëlidhja, skuadra e qytetit të tij, të triumfonte në fund, por nga ana tjetër e thotë hapur që Kamza është pa më lart se lezhjanët e drejtuar nga Alban Bruka.

LUSHNJA – BYLIS

Edhe në grupin B situata është e njëjtë, me vendasit që luajnë për dy rezultate, pasi në ndeshjet direkte janë superiorë, pasi kanë fituar përballjen e parë 2-1 dhe dy të tjerat në “Adush Muça” janë mbyllur në barazim. Kur kemi ardhur në javën e fundit, ata janë më pikë të barabarta dhe Bylisi frymëzohet nga ajo finale e para dy viteve, kur me golin e kapitenin Shoshi arritën të fitonin dhe të ngjiteshin në Superiore. Kur pyet Iken Drobonikun, trajnerin e Tomorit, dhe atë të Pogradecit Festim Fetollari, në analizën e tyre nxjerrin miqtë nga Ballshi favoritë, ndërkohë që edhe shefi i klubit të Shkumbinit, Astrit Isaji, është në një linjë me ta. Ata shpresojnë shumë që kjo sfidë mos të vendoset nga gjykimi, pasi tifozët dhe të dyja klubet nuk e meritojnë diçka të tillë.

Dorian Bubeqi: Mendoj se Kamza ka një ekip më kompakt, që e luan topin më mirë. Është një ekip që di të vendoset në fushë, luan rrjedhshëm, me pasime të shkurtra dhe me ndërrime të lojës shpesh. Besëlidhja ka një lojë ndryshe, pasi e bazon atë te lojtarët shtatlartë që ka në sulm, duke përdorur shpesh topin e gjatë. Duke ditur fushën në të cilën luhet ndeshja, me një vendosje të mirë dhe me topa të gjatë, sikurse luajnë lezhjanët, ata janë më të favorizuar, pasi në fushën e Kazmës është e vështirë të luash shtruar. Por, mendoj se atë favor që ka Besëlidhja prej fushës, Kamza e baraspeshon me publikun, ndërkohë që atyre u mjafton vetëm një barazim për t’u ngjitur në Superiore. Unë mendoj se ndeshja përfundon në barazim.

Alert Alcani: Janë ekipe të të njëjtit nivel, por mendoj se Kamza është pak më lart se Besëlidhja. Por është vetëm një ndeshje dhe nuk i dihet asnjëherë çfarë ndodh në 90 minuta lojë. Por shoh që pak më shumë në presion është Kamza, pasi kërkon të fitojë. Fusha mendoj se favorizon ekipin e Kamzës, pasi kanë edhe publikun në mbështetje, por do të jetë një ndeshje që do merret nga ekipi që do gabojë më pak. Parashikim nuk mund të bëj dot për këtë ndeshje, edhe pse dëshira është që të fitojë Besëlidhja.

Eduart Tanushi: Kamza ka një grup të mirë lojtarësh, të cilët kanë eksperiencë edhe në Superiore. Mendoj se pika më e fortë e tyre është sulmi, ndërsa më e dobëta porta. Te Besëlidhja nuk shoh ndonjë repart që ka shkëlqyer apo që ka qenë poshtë të tjerëve. Gjithçka aty bazohet te grupi, që është edhe pika më fortë e tyre. Fusha them se favorizon Kamzën, pasi luan edhe për dy rezultate. Gjithsesi Besëlidhja ka shanset e veta. Luhet një finale dhe mund të ndodhë gjithçka. Besoj se kjo ndeshje përfundon në barazim, rezultat që shkon në favor të Kamzës.

Iken Droboniku: “Realisht është një duel i fortë, mes dy ekipeve me traditë edhe në Superiore. Të them të drejtën, jam ndeshur dhe me Lushnjen dhe Bylisin. Lushnja ka një grup që luan prej vitesh, por unë besoj se kualitetet e Bylisit do të bëjnë diferencën. Ne qoftë se do luhej në Ballsh, Bylisi do kishte presionin, por duke pasur parasysh çfarë ndodhi dy vite më parë dhe padyshim mbështetjen financiare që ka Bylisi, unë them se Lushnja do të ketë shumë presion. Bazuar në ato çka thash më sipër, Bylisin e shoh në Superiore, sepse jo vetëm në formacion, por edhe në stol ka kualitete që kudo bëjnë diferencën”.

Festim Fetollari: “Janë dy ekip që luajnë shumë mirë futboll, por do të ndikojë fusha e keqe, madje ne këtë aspekt Lushnja favorizohet, pasi e njeh atë terren. Duke u ndalur te përbërja, Bylisi është superfuqi, madje kam dëgjuar do të ketë një superpremio. Dihet që kudo në botë shumë ekipe ngrihen dhe shkojnë në maja nga financat. Bylisi dominon sepse në çdo merkato afron lojtarë Superioreje, ndërkohë që ka baze materiale super, akomodim, trajtim dhe mënyrë organizimi që bëjnë diferencën me rivalin. Dua të ndalem te gjykimi i cili nuk duhet të ndikojë, por t’i lërë skuadrat të luajnë futboll, në mënyrë që gara mos të baltoset në fund, pasi janë bërë investime kolosale dhe dy tifozeritë kanë sytë në atë stadium. Uroj të ketë ‘Fair-Play’ dhe të ngjitet ekipi më i mirë në fushë”.

Astrit Isai – “Një finale interesante, ndeshje që s’do të ketë lidhje me takimet e tjera mes tyre. Lushnja luan për dy rezultate dhe parë në këtë këndvështrim duket më favorite, por Bylisi ka fituar dy vite më parë dhe ballshiotët kanë kualitete, që kur mobilizohen dinë të bëjnë më të mirën. Madje, është një skuadër që ka disa futbollistë që mund të luajmë edhe në elitë. Nga ana tjetër fusha e Lushnjes mendoj se mund të prishë cilësinë e lojës. Dua të bëj një apel edhe për gjyqtarët, që të bëjnë më të mirën dhe të mos vendosin fatet e ndeshjes. Do shohim spektakël në qoftë se lihet të luhet në rrjedhën logjike”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image