Vora pa frena, katër afrime njëherësh

Vora kërkon të mos jetë kalimtare në Kategorinë e Parë. Në këtë mënyrë drejtuesit po bëjnë përforcime në merkato. Së fundmi kanë nënshkruar tre futbollistë. Për portën është marrë Bledar Malaj, i cili ka luajtur edhe në Superiore me Laçin në të shkuarën.

Së fundmi ishte pjesë e FC Termi, ndërkohë që shton në listën e klubeve ku ka luajtur edhe Vorën. Në të Parën për herë të fundit është aktivizuar me Turbinën. Gjithashtu është afruar për mesfushën Entol Allmeta. Futbollisti 28-vjeçar vjet ishte pjesë e Korabit vjet, kurse më parë është aktivizuar me Mamurrasin, Burrelin, Tërbunin dhe Butrintin.

Nuk ndalen me kaq zyrtarizimet, pasi edhe sulmuesi Odeon Bërdufi, i cili në Cërrik ka qenë shok skuadre edhe me dy të afruarit e mësipërm, do të jetë pjesë e Vorës. Sulmuesi provoi një eksperiencë të shkurtër në Gjermani dhe pjesën e dytë të sezonit të shkuar ishte pjesë e Burrelit. Të tre këta lojtarë kanë nënshkruar për një vit.

Vora gjithashtu do të ketë në gjirin e saj edhe mesfushorin Alfred Deliallisi. Futbollisti 25-vjeçar është aktivizuar në Superiore me Teutën dhe Besën, por edhe me Kamzën e Erzenin në Kategorinë e Parë. Sezonin e fundit e mbylli me kavajasit dhe tani do të jetë pjesë e Vorës.

Deliallisi, Malaj, Bërdufi dhe Allmeta. (Foto: Kategoria e Parë Official në Instagram)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *