Vora e Tomori dëshmia reale, boll me futboll bashkish!

0

Futbolli shqiptar ka vite që ndodhet nën pushtetin e drejtuesve lokalë dhe vetë ulje e ngritjet në kategori të shumë skuadrave flet për gjendjen e tyre. Të fundit që bien në të dytën janë Tomori dhe Vora, klube që janë pikërisht nën “thundrat” e bashkiakëve. Më evidente kjo “epidemi” bashkiake është në Kategorinë e Parë dhe në të Dytën, ku skuadrat janë rob i tekave politike e personale të kryebashkiakëve, të cilët luajnë për interesat e tyre personale e partiake. Ata marrin edhe statusin e presidentit të klubit!

Pjesa më e madhe e tyre ka raste që vijnë për herë të parë në stadium, ka edhe nga ata që futbollin e kanë parë si tribunë karriere, por ka edhe nga ata që futbollin e kanë parë si “lopë holandeze” për ta mjelë me administrim e menaxhim tërësisht hajdutçe. Kemi parë këto dy muaj prag fushate elektorale që të rinj e të stazhionuar e kanë nisur me një xhiro në stërvitje, me një ndeshje në stadium dhe aty këtu edhe me ndonjë pazar tavolinash me drejtues, trajnerë e kapitenë skuadrash.

Kjo formë e sundimit në futboll duhet të marrë fund. Vora e Tomori janë dëshmi e hidhur e këtij realiteti, por ka ardhur koha që edhe komuniteti i futbollit, e më gjerë, të reagojë. Zgjedhjet e 30 qershorit duhet ta mbyllin këtë faqe të errët që kryebashkiakët e kaluar e kanë shkruar. Të parën gjë që duhet të respektojnë, të largohen nga futbolli. Kjo në shërbim të sporteve, pasi nuk bëhesh Zot me taksat e qytetarëve!

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.