Volejboll femra/ Tirana mrekulli, Barleti Volej emri që peshon…

0

Barleti Volej-Tirana është finalja e Kupës së Shqipërisë në volejboll për femra, ndërsa ky ka qenë prodhimi i dy gjysmëfinaleve, që kanë qenë një maratonë e vërtetë, të cilat janë luajtur në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Tirana e Gorenxës, të paktën me atë që lojë që bëri, atje ku të pamundurën e bëri të mundur, është një mrekulli e këtyre finaleve. Sepse ka përmbysur një Teutë, nga 0-2 në 3-2, e cila në kampionat e kishte mundur dy herë (3-2 dhe 3-1). E treta e vërteta dhe këtë herë shansi ka qenë me Tiranën. Ndërkohë Barleti Volej, edhe pse ka gabuar shumë, madje trajneri Gurabardhi ka deklaruar në fund të ndeshjes se është luajtur dobët, ka vërtetuar dhe një herë se vazhdon të jetë një emër me peshë “të rëndë” në volejbollin e femrave në Shqipëri. Madje dje e ka marrë suksesin në pikët shtesë, ndërsa ka qenë i treti radhazi ndaj Partizanit (3-0 dhe 3-1 në kampionat e 3-1 në Kupën e Shqipërisë). Dhe pritshmëritë për një finale mbresëlënëse të premten pasdite janë shumë të mëdha…

Gjysmëfinalja e parë

Nisur nga emrat, Teuta dhe Tirana kanë paraqitur në fushë një përvojë maksimale dhe prej shumë vitesh në volejbollin shqiptar. Sepse përballë Gashit, Begiçit, Matoshit e Guzës, ishin Paloka (Shkurti), Kokonozi (Hoxha), Xhixha e Gjokutaj (Sallaku). Shto këto dhe dy lojtaret e lira Muka në një krah dhe Sejfullai në anën tjetër. Ndërkohë Dishës dhe Rexhepit, që tashmë kanë një eksperiencë më të madhe në parket, i është përgjigjur “dhëmb për dhëmb” e reja Kushi. Teuta e ka nisur me shpejtësi ndeshjen dhe duke qenë gjithnjë në udhëheqje të rezultati ka fituar dy sete radhazi 18-25 dhe 16-25. Madje krijohet ideja që do të shkohet drejt një suksesi 3-0. Por Tirana nuk është dorëzuar. Është mbledhur dhe ka shpërthyer në mënyrën më të mirë të mundshme. 25-18 seti i tretë, 25-23 seti i katërt dhe në finale 15-12 për bardheblutë dhe me shumë meritë finaliste pas një fitores 3-2. Për t’u evidentuar në rezultatin 12-9 për Tiranën në setin e pestë ka një ndëshkim me të verdhë dhe më pas me të kuqe për protesta ndaj trajnerit të Teutës, Edmond Jazenxhi. Dhe protesta ka vijuar dhe në përfundim të ndeshjes, aq sa kryesori Zenullari i ka treguar të verdhë dhe të kuqe njëkohësisht trajnerit durrsak. Ashtu sikurse është ndëshkur me të verdhë dhe trajneri i Tiranës, Adrian Gorenxa. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes Romina Matoshi e Teutës me 16 pikë e ndjekur nga Klejda Paloka (Shkurti) dhe Joana Kushi e Tiranës me 14 pikë, sikurse Rexhepi e Teutës me 12 pikë, Begiçi i Teutës me 11 pikë, apo Gjokuta (Sallaku) e Tiranës me 10 pikë. Në bllok ka dalë fituese Gjokuta (Sallaku) e Tiranës dhe Begiçi e Teutës me tre mure fituese. Kurse në shërbim me nga tre rezultative Gashi, Begiçi, Guza e Disha të Teutës. Në total në pesë sete Tirana ka shënuar 99 pikë prej të cilave 75 pikë vetë, kurse 24 pikë kanë ardhur nga gabimet e Teutës. Në anën tjetër Teuta në pesë sete pat realizuar 100 pikë nga të cilat 74 pikë vetë, kurse 26 pikë kanë ardhur nga gabimet e bardhebluve. E megjithatë Tirana e ka merituar daljen në finale.

Tirana – Teuta 3-2

(18-25, 16-25, 25-18, 25-23, 15-12)

Tirana: Paloka (Shkurti), Xhixha, Gjokuta (Sallaku), E.Meta, Kushi, Kokonozi (Hoxha), Sejfullai (L)/Ahmetaj, A.Hoxha, Shehi Trajner: A.Gorenxa

Teuta: Gashi, Begiçi, Matoshi, Guza, Disha, Muka (L), Rexhepi/Kodra Trajner: E.Jazenxhi

Gjyqtarë: E.Zenullari, R.Mujo (Tiranë)

Asistentë: K.Tota, A.Nurja (Tiranë)

 

Gjysmëfinalja e dytë

Barleti Volej ka vuajtur ndaj Partizanit, atje ku Blloku, Meçorapoj, por dhe Esmeralda Tuci kanë bërë gjithçka për të sfiduar skuadrën e Hasan Gurabardhi. Seti i parë është për fituesit në fuqi të Kupës së Shqipërisë, 25-22. Kundërpërgjigjet Partizani në të dytin 18-25. Me shumë vështirësi Barleti Volej ka fituar setin e tretë 25-19 dhe të fundit në pikët shtesë 28-26. Pse ka luajtur keq Barleti Volej, të paktën sipas asaj që ka shpjeguar Gurabardhi? Nisur nga pikët Barleti Volej në katër sete pat shënuar 96 pikë prej të cilave 76 pikë vetë, kurse 20 pikë kanë ardhur nga gabimet e të kuqeve. Në krahun tjetër Partizani në katër sete ka shënuar në total 92 pikë prej të cilave 64 pikë vetë, kurse 28 pikë kanë ardhur nga gabimet e Barletit Volej. Mesatarisht shtatë pikë për set e Gurabardhi s’ka se si të jetë i kënaqur, edhe pse është finalist. Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes Enkelejda Braho e Barletit Volej me 27 pikë e ndjekur nga Esmeralda Tuci e Partizanit me 17 pikë, Malvina Tuci e Barletit Volej me 13 pikë, Ergysa Blloku e Partizanit me 12 pikë dhe Meçorapoj e Partizanit me 10 pikë. Në bllok ka dalë fituese Fatbardha Picaku e Barletit Volej me 5 mure fituese, si dhe Xhenifer Pirra e Partizanit me katër mure fituese. Në shërbim është dalluar Enkelejda Braho e Barletit Volej me katër rezultative. Shkurt Barleti Volej është finaliste mes vuajtjeve dhe gabimeve të veta.

Barleti Volej – Partizani 3-1

(25-22, 18-25, 25-19, 28-26)

Barleti Volej: Xheka, Hasku, M.Tuci, Braho, Bego, Fagu (L), Picaku/Brati, Xhelilaj Trajner: H.Gurabardhi

Partizani: Ortega, E.Tuci, Blloku, Shehu (L), Meçorapoj, Matraku, Pirra/Gongo, Kole Trajner: R.Tarja

Gjyqtarë: E.Zguri, E.Dusha (Tiranë)

Asistentë: K.Tota, A.Nurja (Tiranë)

 

Gjergj Vyshka

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here