Volejboll Femra/ Barleti Volej zgjat duart drejt titulli

0

 

Kampionet në fuqi fitojnë finalen e dytë me Tiranën dhe tashmë janë fare pranë përsëritjes së suksesit të sezonit që shkoi

 

Florian Behlula

 

Tirana – Barleti Volej 0-3

(23-25, 22-25, 21-25)

Tirana: Meta, Blloku, Thaka, Matraku, Hoxha, Vujadinoviç, Matoshi, Pira, Agolli, Gega, Shehi

Trajner: A. Gorenca

Barleti Volej: Braho, Fagu, Nezaj, J. Gjermeni, Dervishi, Gjermeni, Harxhi, Bici, E. Tuci, Hasku, Picaku, Uka

Trajner: H. Gurabardhi

 

 

Në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” në kryeqytet u luajt pasditen e djeshme finalja e dytë e kampionatit të volejbollit për femra, mes Tiranës dhe Barleti Volej, ku interesimi nga publiku ishte i konsiderueshëm. Barleti Volej arriti të fitojë edhe ndeshjen e dytë po me të njëjtin rezultat, 3-0, vetëm se këtë herë me pak më shumë vështirësi, me vajzat bardheblu që bënë maksimumin për të qëndruar në lojë në çdo set. 25-23, 25-22, 25-21 ishte rezultati përfundimtar në favor të kampioneve në fuqi, që treguan edhe një herë tjetër se luajnë shumë të organizuara si skuadër, edhe në momentet që ndodhen në vështirësi. Skuadra e drejtuar nga Hasan Gurabardhi ashtu si në ndeshjen e parë e nisi mjaft mirë takimin, duke marrë menjëherë një kryesim të ndjeshëm dhe u duk se setin e parë do ta fitonte me lehtësi. Por reagimi i Tiranës bëri që rezultati të ishte i ngushtë, aq sa në fund vetëm një gabim në zhytje e volejbollisteve bardheblu bëri që seti i parë të mbyllet 25-23.

Në setin e dytë, dëshira e vajzave të Tiranës për të barazuar finalen i dha atyre forcën për t’iu kundërvënë kundërshtareve, aq sa morën një kryesim deri në 16-12, por kampionet menjëherë arritën të realizojnë 7 pikë radhazi duke përmbysur shifrat në favor e në fund fitojnë 25-22. Edhe në setin e tretë gjithçka mbeti e hapur, Tirana mundohet të fitojë dhe të mbetet në lojë, por gjithsesi janë vajzat universitare që komandojnë dhe arrijnë ta mbyllin me katër pikë në favor, 25-21. I gjithë takimi përfundon 3-0 me sete ashtu si në ndeshjen e parë në “Asllan Rusi” dhe skuadra e Gurabardhit kryeson 2-0, teksa i duhet edhe 1 fitore e vetme për t’u shpallur kampione. Ndeshja e tretë finale mes këtyre dy ekipeve do të luhet të shtunën në orën 19:00 në pallatin e sportit “Asllan Rusi”.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.