Volejboll femra/ Barleti Volej, një hap larg titullit

0

Gjergj Vyshka

Barleti Volej është një hap larg titullit kampion në volejboll për femra, ndërsa dje ka fituar edhe ndeshjen e dytë finale me Partizanin, që është luajtur në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Është dukur si një ndeshje e përgjumur, me një kontroll për t’u pasur zili nga kampionet në fuqi, por Partizani është rizgjuar atëherë kur vetë Barleti Volej ka gabuar. Madje ka falur një set, ndërsa në totalin e katër seteve është skuadër që ka dhënë për kundërshtarin 30 pikë, mesatarisht 7.5 pikë për set. Sepse Partizani në katër sete ka shënuar 88 pikë prej të cilave 58 pikë vetë, kurse 30 pikë kanë ardhur nga gabimet e Barletit Volej. Por dhe Partizani ka falur shumë në katër sete, ndërsa janë 24 pikë, teksa totali i Barletit Volej në katër sete ishte 97 pikë prej të cilave 73 pikë i ka shënuar vetë. Pra me një mesatare prej gjashtë pikësh të kuqet kanë dhënë kampionet. Mirëpo për shkak të këtyre gabimeve, Gurabardhi nuk ka qenë i kënaqur nga të tijat, të cilat kanë fituar duke gabuar shumë. Dhe në prag të ndeshjes, të dy trajnerët kanë pranuar se do të fitojnë nëse shmangin gabimet. Por nuk ka ndodhur kështu në fakt.

Ndeshja

Barleti Volej e ka nisur që në fillim me udhëheqje të rezultatit, ndërsa ka kryesuar në setin e parë 6-8, 13-16, 17-19, 20-23 dhe në fund 20-25. Dhe të dytin e ka nisur me kontroll të rezultatit skuadra e Gurabardhit, ndërsa ka kryesuar 5-8, 6-10, 10-12, 15-16. Por atëherë kur pritej që seti i dytë të shkonte në favor të Barletit për të shkuar më pas drejt një fitoreje 3-0, vjen rënia e skuadrës së Gurabardhit. Gabimet në masë dhe njëra pas tjetrës dhe Partizani përmbys në 24-22 dhe merr setin e dytë 25-22. Barleti Volej nuk lëshon më, por e vë nën udhëheqje setin e tretë që në fillim; 6-8, 8-12, 9-12, 13-18, 15-22 dhe në fund 20-25. E njëjta histori dhe në setin e katërt; 6-8, 8-12, 10-16, 13-16, 14-19, 19-21 dhe në fund 23-25, ndërsa pas gjuajtjes jashtë të Tucit ka ardhur fitorja e Barletit Volej. Gurabardhi me një vrap të shpejtë ka shkuar ta ndajë gëzimin e fitores me Agron Dukën dhe Agim Doracin e më pas me të gjithë skuadrën.

Shifrat

Pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes është Enkelejda Braho e Barletit Volej me 24 pikë e ndjekur nga Ergysa Blloku e Partizanit me 17 pikë të ndjekura nga Malvina Tuci dhe Fatbardha Picaku të Barletit Volej me 12 pikë. Në bllok ka dalë fitues Xhenifer Pirra e Partizanit me gjashtë mure fituese pasuar nga Esmeralda Tuci dhe Meçorapoj të Partizanit, si dhe Hasku e Barletit Volej me tre mure fituese. Në shërbim ka dalë fitues Çezarina Xheka e Barletit Volej me tre shërbime fituese ndjekur nga Tuci dhe Xhelilaj me dy të tilla. Në total një ndeshjen nën nivelin mesatar dominuar nga Barleti Volej.

Partizani – Barleti Volej 1-3 (0-2)

(20-25, 25-22, 20-25, 23-25)

Partizani: E.Tuci, Shehu (L), Melisa Romano Ortega, Matraku, Pirra, Blloku, Meçorapoj/Kole, Gongo Trajner: R.Tarja

Barleti Volej: Xheka, M.Tuci, Picaku, Braho, Hasku, Bego, Fagu (L)/Xhelilaj, Shabaku, Brati Trajner: H.Gurabardhi

Gjyqtarë: I.Fështi, T.Zguri (Tiranë)

Asistentë: A.Brokaj, R.Ekmekçiu (Tiranë)

Trajneri i Barletit Volej

Gurabardhi: Bëjmë gabime që nuk i bëjmë as në stërvitje

“Play-off”-i ka shumë emocione dhe tension. Mendoj se mund të kishim fituar më lirshëm për mënyrën si u zhvillua loja. Shkëputeshim me mjaft pikë, por më pas hynim në euforinë e fitores. Të mos harrojmë që tri vajza të formacionit luajnë për herë të parë në finale. E kam fjalën për Begon, Haskun dhe Picakun. Dhe kjo është vështirësia. Kemi bërë shumë gabime, por këtë e bëjnë emocionet, të justifikueshme në finale. Në momente vendimtare kemi falur shumë pikë. Bëjmë gabime që nuk i kemi bërë asnjëherë, jo vetëm në ndeshje, por as në stërvitje. E rëndësishme është fitorja dhe kemi hedhur një hap të sigurt drejt titullit dhe besoj se do ta arrijmë objektivin tonë final të sezonit”, tha Gurabardhi pas ndeshjes

Trajneri i Partizanit

Tarja: S’kemi çfarë humbim, kemi ndeshje në dispozicion

“Kemi gabuar në të gjithë mbylljet e seteve, sidomos në setin e dytë dhe të tretë. Nuk kemi qenë të kthjellët në lojën tonë. Në vazhdim ndryshuam disa gjëra duke e vënë në vështirësi kundërshtarin në shumë drejtime, por nuk e gjetëm prapë rrugën e duhur për të mbyllur ndeshjen. Shpresojmë ta realizojmë ndeshjen e tretë. Ka ende ndeshje të tjera në dispozicion për t’u luajtur. Të shohim se çfarë do të ndodhë në ndeshjen e tretë. Shpresoj që skuadra të kthehet e të zhvillojë një ndeshje të bukur. Nuk kemi çfarë të humbim”, deklaroi Tarja pas ndeshjes.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here