Volej/ Polonia kampione e botës, “shkatërron” Brazilin në finale

Polonia shpallet kampione e botës në volejboll për meshkuj, duke mposhtur Brazilin 3-0 në finale (28-26, 25-20, 25-23). Dueli i luajtur në Torino u dominua nga përfaqësuesja polake, me amerikano-latinët që provuan të luanin si të barabartë vetëm në setin e parë, i cili ishte mjaft i ekuilibruar. Aty brazilianët provuan të ktheheshin në lojë në fund me shërbimet e Lipe dhe Isak, por në fund kampionët e rinj të botës bënë diferencën në parket.

Polonia nisi dominimin prej fillimit të setit të dytë, ku ylli i mbrëmjes ishte Kurek, ndërsa në ndihmë të skuadrës erdhi edhe Salpuk, si një alternativë mjaft e vlefshme në fazën ofensive. Mesatarja e pikëve të realizuara ishte e shkëlqyer për skuadrën e Hejnen, që e mbylli këtë set me fitoren e lehtë 25-20.

Dominimi i Polonisë, që vazhdoi të luante me të njëjtin ritëm dhe goditja psikologjike e pësuar nga Brazili ndikuan që edhe seti i tretë të fliste për kampionët e rinj të botës, ku përveç Kurek, i cili e mbylli takimin me 24 pikë, spikatën edhe kapiteni Kubiak, Salpuk dhe Drzizga. Kampionët e botës konfirmohen në “çatinë” e volejbollit global, duke fituar titullin e tretë në histori, pas atyre të viteve 1974 dhe 2014. Në anën tjetër, kampionëve Olimpikë të Brazilit u mbetet të kënaqen vetëm me medaljen e argjendtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *