Vokrri studjon CV-në e Gjokës, 60 mijë euro në vit do të mjaftonin!

Në Kosovë shihet me sy të mirë dhe ka simpatinë e thuajse të gjithëve, sidomos pasi nxorri kampion Kukësin për të parën herë në histori

Nga Superkupa dhe titulli te papunësia… Nuk duhet të ketë qenë e lehtë për Ernest Gjokën, i  cili teksa pret këstet që Flamurtari nuk i ka shlyer ende (në fakt, FSHF duhet të shlyejë sipas akordit të gjetur) po shijon pushimet e tij, edhe pse zemra dhe mendja vazhdon të jetojnë me topin dhe fushat e blertë. Në të gjitha postimet e tij sheh padiskutim skema, ose edhe arritje vetjake, apo thjesht… futboll. I fiksuar pas taktikës, saqë shpesh humbet edhe orë të tëra në Youtube duke parë stërvitjet e ekipeve dhe trajnerëve të mëdhenj. Që pas largimit nga pankina e Kukësit, në atë ndeshje të mallkuar ndaj skuadrës së Sherif Tiraspolit, edhe me një shtyllë të goditur në shtesë dhe penalltia e humbur nga Pero Pejiç, trajneri ndodhet në rolin e opinionistit, teksa shijon edhe pushimet pranë familjes. Por, së shpejti për të mund të ketë një tjetër impenjim në horizont, ose më saktë, aventurë…

Karriera e Gjokës është kështu. Ose shumë stuhi dhe dallgë, ose shumë qetësi. Ndaj, joshja e fundit quhet Kosova. Një pankinë që së shpejti do të lirohet nga Bunjaku, trajneri aktual i përfaqësueses së dardanëve. Prej ditësh, në zyrën e Fadil Vokrrit, presidentit të federatës kosovare të futbollit, ka mbërritur edhe CV-ja e trajnerit Gjoka, teksa sa i përket buxhetit, nuk është aspak e vështirë të gjendet një akord. Fakti është që FFK mund të shkjë deri në 5 mijë euro në muaj, duke qenë se bëhet fjalë për një futboll në rindërtim. Gjoka do të ishte i kënaqur edhe me aq, ndërsa në Kosovë shihet me shumë simpati nga tifozët, duke qenë se nxorri edhe Kukësin kampion për të parën herë në histori dhe shumë shqiptarë Kosove bëjnë tifo me Kukësin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *