Vodka, sauna, punë dhe futboll? Jo, faleminderit! Tifozët e Llullakut nuk duan të jenë nga “bota tjetër“: Nuk shkojmë në stadium

Bjellorusia është kthyer në qendër të vëmendjes në Europë, teksa është i vetmi vend ku jeta vijon normalisht dhe futbolli nuk është ndalur aspak, madje edhe me tifozë në shkallët e stadiumeve. “Vodka, sauna, punë” ishin pikat kyçe të strategjisë së çmendur që presidenti Lukashenko i prezantoi popullit të tij për të shkatërruar virusin, megjithëse Italia e dha shembullin e qartë të pasojave që Covid-19 mund të shkaktonte. Por edhe pse me 50 raste të konfirmuara, Bjellorusia nuk vendosi ta ndalte jetën aspak.

Megjithatë të prekurit sa vijnë e po shtohen dhe kjo duket se ka shtuar ndjeshëm edhe frikën e qytetarëve bjellorusë. Janë pikërisht tifogrupet e futbollit që kanë ngritur zërin e tyre dhe bëjnë thirrje për të pezulluar kampionatin, teksa njoftojnë se nuk do të jenë më të pranishëm në stadium. Bëhet fjalë për tifozët e Neman Hrodna dhe Shakhtar Soligorsk, ku luan edhe sulmuesi i Kombëtares sonë Azdren Llullaku.

Gjithashtu kërkojnë që nisma e tyre të pasohet edhe nga tifozeritë e tjera, duke i thënë kështu “jo” teorisë së çmendur të presidentit të vendit të tyre për të mposhtur virusin vdekjeprurës. E nëse një gjë e tillë ndodh, atëherë Elis Bakaj së bashku me Llullakun nuk do të jetonin në një “tjetër botë”, por do të ktheheshin në botën e vërtetë, atë me të cilën po përballet sot Europa./Sport Ekspres/