Vlonjati që gjunjëzoi Flamurtarin: Bregu sfidoi frakturën dhe luajti me injeksione

Në fund, flet gjithmonë ai: Dejvi Bregu. Flet me gjuhën e golave. Gjithmonë e më tepër vendimtar te Skënderbeu. Ndaj Flamurtarit nuk duhej të luante. Thuajse gjatë gjithë javës kishte qenë në dyshim, për shkak të frakturës në gishtin e madh të këmbës.

Por, 23-vjeçari donte me patjetër të ishte në fushën e lojës ndaj ish-skuadrës së tij. Sfidoi frakturën dhe dhimbjet, pranoi injeksione për të përballuar 90 minutat dhe zbriti në fushë. Djevi nuk pranonte që për asnjë arsye të humbiste duelin ndaj kuqezinjve.

Këmbëngulja i dha të drejtë. Shumë e madhe dëshira për t’u treguar të gjithëve në Vlorë, se kanë gabuar, që nuk i dhanë mundësinë e merituar për të treguar kualitetin. Bregu vazhdon të shfaqet gjithmonë e më tepër, si ndëshkues i Flamurtarit.

Kuqezinjve, skuadrës ku u rrit si futbollist dhe u lançua në moshë të re, u kishte shënuar më parë edhe si lojtar i Luftëtarit. Këtë herë, si lojtar i Skënderbeut, festa ishte e papërmbajtshme. Më pas duart te veshët, si për të kërkuar se çfarë mund të kenë për të thënë kritikët. Ata që asnjëherë nuk mungojnë dhe ndoshta në shumë raste janë treguar të padrejtë.

Ylli i sulmit të Skënderbeut, këmbënguli të ishte në fushë, njësoj sikur ta dinte se do të ishte ai protagonist. Në fund trajneri Orges Shehi i dhuroi duartrokitjet e tifozëve dhe festa ishte e gjitha për Dejvi Bregun. Yllin që lindi në Vlorë, për të shkëlqyer larg kuqezinjve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *