Vllaznia, “vdekja” që erdhi nga Bashkia dhe ringjallja prej privatit

Gjergji Stefa

Pse privatizimi i Vllaznisë po bëhet ashtu si duhet Pas një stuhie koha do hapet gjithnjë, është e pashmangshme. Vllaznia. Rënia nga kategoria përkon me vendimin përfundimtar të Bashkisë për të privatizuar klubin. Ishte e pashmangshme. 7 vite nën bashki, më shumë se 8 miliardë lekë të shpenzuara, disa drejtorë, më shumë se dhjetë trajnerë, qindra futbollistë. Asnjë trofe, asnjëherë në Evropë, asnjë kënaqësi. Në fund rënia. Ankandi do nisë me rreth 500 milionë lekë të vjetra, një shifër modeste në raport me potencialin sportive dhe të biznesit që ka klub. Të interesuarit kanë nisur menjëherë të lëvizin. E shkuar, tifozëri masive, qytet i rëndësishëm, akademi që funksionon dhe super stadium. Me pak kujdes, ky klub mund të shndërrohet në fitues dhe rentabël. E parë kështu, më mirë vonë se sa kurrë. Administrimi publik është një relike e së shkuarës. Ai privat është e vetmja zgjidhje. Dyshimet janë në lidhje me borxhet. Rreth 1.5 miliardë lekë të vjetra. Bashkia ka menduar për çdo gjë deri në detaje. Pronarët e rinj të klubit nuk do paguajnë asnjë cent nga këto. Borxhet e së shkuarës do lahen nga bashkia me një plan 2-vjeçar. Borxhi më i madh është ndaj tatimeve, borxh i cili mund të shtyhet deri në 24 muaj, aq sa potencialisht klubi mund të ketë në teori të drejtën për të marrë pjesë në kupat e Evropës. Njohja 100 për qind e borxhit nga pikëpamja zyrtare është një risi në lidhje me privatizimet e klubeve. Kur Tirana u privatizua në 2014, jo vetëm që në ngarkim të aksionerit kryesor Halili shkuan 66 për qind e borxheve të prapambetura, por këto borxhe u zbuluan në një pjesë të konsiderueshme edhe pas firmës. Shumë probleme në këtë drejtim ka pasur dhe administrimi i Flamurtarit, pasi në këto 4 vite në epokën Idrizi jo rrallë në klub kanë mbërritur padi ose vendime gjyqesh të humbura nga periudha e mëparshme. Gjergji Stefa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *