Vllaznia u shpëton gjobave, ultimatum deri… të mërkurën e ardhshme

E konfirmon administratori Gjyrezi: Nuk ka gjoba. Një tjetër shans për skuadrën, që të kthehet te fitorja në ndeshjen e ardhshme me Flamurtarin

Gaspër Marku

Si zakonisht, humbjet e Vllaznisë në qytetin e Shkodrës sjellin pesimizëm në komunitetin futbolldashës. Rezultatet negative përjetohen në mënyrën më të keqe, aq sa përpos mjediseve shoqërore, ku tifozëria është e ndezur, një gjë e tillë është jo pak e pranishme edhe në familje, ku futbolli prej vitesh vazhdon të jetë pjesë kryesore e jetës. E tillë ishte humbja e pësuar në Laç të shtunën e kaluar. Një humbje, që u tha se do të shoqërohej me një analizë të zgjeruar paraditen e së hënës. Dhe ashtu ka ndodhur, kur në orën 11:00 futbollistët dhe stafi teknik janë parë të futen në mjediset e Bashkisë Shkodër, ky së bashku me dy drejtuesit kryesorë të Vllaznisë, administratorin Astrit Gjyrezi dhe drejtorin sportiv Eugent Zeka, kanë nisur një analizë, që në kohëzgjatje ka shkuar rreth 3 orë e gjysmë. Një analizë maratonë. Pjesë e kësaj analize pritej të ishte edhe kryebashkiakja-presidente Voltana Ademi, por angazhimi i saj në një takim zyrtar në kryeqytet e bëri të pamundur një gjë të tillë. Nga sa bëhet e ditur, ashtu si edhe në analizën e javës së mëparshme, çdo gjë i ka takuar diskutimit teknik, ku, duke pasur në dispozicion edhe pamjet filmike të ndeshjes, tekniku Armando Cungu ka analizuar çdo gjë me hollësi, nga minuta e parë dhe deri tek e fundit. Kjo analizë përfshiu pa përjashtim të gjithë futbollistët, duke nisur nga portieri Selimaj dhe deri te futbollisti i majës së sulmit. Natyrisht, pjesën kryesore të diskutimit e ka zënë fjala dhe komenti teknik nga ana e trajnerit Cungu, por analiza në fjalë ka vijuar edhe në formën e bashkëbisedimit.

GJYREZI – Për takimin në fjalë, administratori Astrit Gjyrezi, i cili ka marrë përsipër të flasë për çfarë ndodhi në analizë, ka thënë se me gabimet që bëri në ndeshjen me Laçin, Vllaznia mundi vetveten: ”Vllaznia u mundua të paraqitet sa më mirë në fushë, qarkulloi topin, krijoi raste, por për fat të keq u ndëshkua nga gabimet e saj. Humbjen në Laç nuk na e shkaktoi kundërshtari, por gabimet tona”, – thekson Gjyrezi. Edhe pse në opinionin sportiv shkodran ishte krijuar përshtypja se do të kishte edhe masa të ashpra ndaj futbollistëve, sepse i tillë ishte informacioni që dilte nga brenda klubit kuqeblu, nuk ka ndodhur kështu: “Meqenëse jemi në fillim të kampionatit, nuk e pamë të arsyeshme të kalojmë në masa ndëshkimore. Shpresojmë të kemi një reagim pozitiv nga ekipi, prandaj po i japim kohën e duhur për të larguar presionin, emocionet e këtij fillim kampionati dhe të dalë aty ku dëshirojmë të gjithë ne”, – tha drejtuesi i klubit kuqeblu. Sipas Gjyrezit, klubi shkodran kërkon t’i japë skuadrës edhe një shans, ndoshta të fundit, përpara se të ndërhyjë për marrjen e masave ekstreme në skuadër. Dhe kjo ka të bëjë me një angazhim të vetë futbollistëve, duke nisur nga ndeshja e radhës me Flamurtarin në Shkodër. “Kemi një angazhim total të ekipit, që mendon se në ndeshjen e radhës me Flamurtarin do të bëjmë një prezantim sa më dinjitoz, për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Kemi besimin maksimal ndaj këtyre djemve dhe shpresojmë që shumë shpejt do të dalim aty ku dëshirojmë”, – vijoi më tej Gjyrezi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *