Vllaznia, shkelje të frikshme, miliona të çuar dëm dhe mungesë transparence!

Akuza të rënda, nga ato që kërkojnë përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga Bashkia Shkodër dhe klubi Vllaznia.

Shoqata “Intelektualët e rinj, Shpresë”, që ka disa muaj që po denoncon problemet dhe shkeljet juridike e financiare te Vllaznia, ka dalë sërish me një tjetër kërkesë publike drejtuar Kryebashkiakes Voltana Ademi, duke kërkuar transparencë të plotë për qytetarët e Shkodrës, në lidhje me administrimin që po i bëhet Klubit të Futbollit Vllaznia.

“Intelektualët e rinj, Shpresë” evidenton sërish mungesën e transparencës, si dhe denoncon disa shkelje të frikshme financiare.

Nga analiza e bërë nuk rezulton asnjë person apo strukturë drejtuese përgjegjëse për abuzimet financiare të konstatuara nga KLSH për shumën prej 35.652.852 Lekë për sigurime shoqërore e shëndetësore të papaguara për lojtarët e trajnerët, referuar kontratave të lidhura!

Po ashtu nuk rezulton asnjë person apo strukturë përgjegjëse mbi abuzimet financiare të konstatuara nga KLSH për shumën prej 23.192.366 lekë e mbajtur sipas kontratave të lidhura me lojtarët dhe stafin sportiv si tatimi në burim e cila nuk është kontabilizuar dhe nuk është derdhur në Degën e Tatimeve Shkodër në zbatim të ligjit nr.9920, datë 19.05.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë” dhe të ligjit 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat”.

Ndërkohë, nga komunikimi me Ju, informohemi se ekziston vetëm një marrëveshje me Drejtorinë Rajonale të tatimeve Shkodër për një detyrim të pashlyer prej 7.663.325 lekë dhe në total borxhi tatimorë kap vlerën prej 30.855.691 lekësh!

Nga ana tjetër llogaritë e shoqërisë si rezultat i neglizhencës së drejtuesve të kësaj shoqërie mbeten të bllokuara sipas një Vendimi Gjykate të formës së prerë dhe urdhrit për ekzekutim për një detyrim ndaj të tretëve për vleftën prej 76.600 Euro!

Ky borxh i mësipërm thellohet akoma më tepër nga disa vendime të kundraligjshme të Këshillit Mbikqyrës për marrjen e huave në shuma të cilat kapin një vleftë totale prej 17.000.000 lekësh e 45.000 eurosh. Këto vendime nuk janë miratuar në Këshillin Bashkiak si i vetmi organ i cili ka kompetencën e miratimit të huamarrjes (shih fq 19 raporti i KLSH). Nga analiza e bërë së fundi nuk rezulton asnjë përgjegjësi si dhe nuk ka asnjë lloj transparence për fatin e shlyerjes së këtij borxhi!

Nuk tregohet asnjë lloj përkujdesje në menaxhimin në shërbim të objektivave të shoqërisë të talenteve shkodranë të cilët u aktivizuan me sukses vitin e shkuar por pagesat e tyre rezultojnë të jenë disa herë më të ulëta sesa të atyre që u cilësuan si të dështuar gjatë merkatos së fundit! Theksojm se transfertat e këtyre talenteve janë bërë në një mungesë të theksuar transparence duke mos u deklaruar shumat e përfituara nga “Klubi i Futbollit VLLAZNIA” sh.a!

Si rezultat i këtij menaxhimi të dobët, aktualisht, detyrimet ndaj Drejtorisë Rajonale të Tatimeve llogariten në një vleftë prej 300 milion lekësh, llogaritë e shoqërisë vazhdojnë të mbeten të bllokuara si rezultat i detyrimeve ndaj të tretëve!

 Shoqata “Intelektualët e rinj, Shpresë” flet edhe në lidhje me procesin e vlerësimit të aseteve të klubit, duke akuzuar se nuk ka asnjë lëvizje në këtë drejtim, ndryshe nga premtimet e Ademit.

E nderuar znj.Kryetare,

Nga deklarata e Juaj e fundit dhënë në media në datën 30 Qershor 2017, keni informuar se tashmë ka filluar procesi i vlerësimit të aseteve të shoqërisë “Klubi i Futbollit VLLAZNIA” sh.a.

Nga vëzhgimi që i kemi bërë aplikacionit të Bashkisë për Transparencën e Buxhetit rezulton se fondi prej 1 milion lekësh akoma nuk është prokuruar dhe shpenzuar!

Ju lutem znj.Kryetare a mund të na informoni se kujt duhet ti besojnë qytetarët në këtë rast: Aplikacionit mbi transparencën e buxhetit ku nuk pasqyrohet asnjë e dhënë mbi fillimin e procedurës së vlerësimit të aseteve apo Deklaratës tuaj të dhënë në media se procesi mbi vlerësimin e aseteve tashmë ka filluar???

Gjithashtu, “Intelektualët e rinj, Shpresë” denoncojnë edhe mashtrimin në lidhje me pagesën me këste të një borxhi të frikshëm ndaj Tatimeve, prej 220 milionë lekësh.

Në konferencën për shtyp të drejtuesve të Vllaznisë me datë 13 Prill 2017 u deklarua se ekziston një marrëveshje për pagesën me këste të një borxhi tatimorë në një vleftë prej 220 milionë lekësh. Nga komunikimet me Bashkinë nëpërmjet shkresës nr.6313.prot datë 03.05.2017 jemi informuar se Shoqëria “KLUBI I FUTBOLLIT VLLAZNIA” Sh.a ka vetëm një marrëveshje me Drejtorinë e Tatimeve Shkodër nr.1261/1 prot datë 29.01.2016 për pagesë me këste në lidhje me një borxh tatimorë të papaguar prej vetëm 7.663,325 dhe se marrëveshje të tjera nuk ka!

A nuk përbën ky fakt një dizinformim publik ndaj qytetarëve shkodranë në lidhje me detyrimin tatimorë të shoqërisë??? A duhet të mbaj dikush përgjegjësi për këtë deklarim publik të rremë??? Përse nuk e bëni publik shlyerjen e detyrimit prej 23.192.366 lekë të mbajtur sipas kontratave të lidhura me lojtarët dhe stafin sportiv si tatimi në burim detyrimi sipas rekomandimeve qe ju ka lënë KLSH???

Për të gjitha këto shkelje, dhe për shumë të tjera, “Intelektualët e rinj, Shpresë”, me president Saimir Beqiragën kanë publikuar një listë me kërkesa për Bashkinë Shkodër, duke kërkuar që në bazë të nenit 3, të ligjit nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit” të bëhet transparente dhe të na informohet publiku në lidhje me:

1) Masat administrative që do ndërmerrni ndaj personave përgjegjës në lidhje me mungesën e përgjegjshmërisë dhe transparencës ndaj publikut për sa referuar më sipër me fakte dhe prova shkresore!

2) Ju kërkojmë të bëni transparente pagesën e detyrimit të pashlyer ndaj Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Shkodër në shumën prej 23.192.366 lekë për tatimin nga të ardhurat nga punësimi i mbajtur në masën prej 15% për lojtarët e ekipit të parë si pjesë e rekomandimit të lënë nga KLSH për veprim të menjëhershëm! (shih: fq 75 të raportit të KLSH). Ju kërkojm të na dërgoni kopje të pagesave të kryera për ekzekutimin e këtij detyrimi!

3) Ju kërkojmë të bëni transparente dhe të na informoni mbi shlyerjen e huasë të marrë në mënyrë të kundraligjshme nga Këshilli Mbikqyrës për shumat prej 17.000.000 lekësh e 45.000 eurosh si dhe masat e ndërmarra ndaj këtij veprimi në kundërshtim të hapur me ligjin!

4) Ju kërkojmë të bëni transparente dhe të informoni mbi shumën financiare të përfituar nga “KLUBI I FUTBOLLIT VLLAZNIA” sh.a. nga transferimet e talenteve shkodranë!

5) Ju kërkojmë të bëni transparente dhe të na informoni mbi procedurën e prokurimit të fondit prej 1 milion lek për vlerësimin e aseteve të shoqërisë “Klubi i Futbollit VLLAZNIA” sh.a, (Ju lutem na dërgoni kopje të gjithë dokumentacionit që i përket procedurës së prokurimit)

6) Në zbatim të germës dh) pika 1 të nenit 7 të ligjit nr.119/2014, “Për të drejtën e informimit” ju kërkojmë të publikoni në faqen zyrtare të Bashkisë Shkodër raportin e KLSH Mars 2017 në shoqërinë “KLUBI I FUTBOLLIT VLLAZNIA” sh.a.

Linku i plotë i kërkesës publikenga Shoqata “Intelektualët e rinj, Shpresë”:

http://irsh.al/wp-content/uploads/2017/07/IRSH-kerkese-publike-11-Korrik-2017.pdf

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *