Vllaznia, sa e pafat ndaj PAOK-ut!

Për të ardhur keq. Vllaznia në futboll për femra ishte pranë një barazimi të artë në sfidën e dytë në Champions League, kundër PAOK-ut, por u mund 1-0 në minutën e 92-të. Në ndeshjen e parë, kundër Sarajevës vendase, Vllaznia fitoi në të njëjtën mënyrë, duke shënuar në minutën e 92-të, me Megi Doçin. Koincidencë e çuditshme, sot humbja erdhi në të njëjtën minutë, nga një gol i Gkatsu, me 11-metërsh.

Një sfidë e luajtur mjaft mirë nga Vllaznia, që përtej humbjes me ekipin më të mirë në grup, tregoi se ka bërë hapa gjigantë përpara.

Një gol i pësuar në dy ndeshje, një paraqitje dinjitoze ndaj një PAOK-u që sulmoi gjatë, goditi edhe një shtyllë, por realisht nuk ishte aq superior sa mendohej dhe humbja është vërtet e pafat.

Megjithatë, Vllaznia ka gjithçka në dorën e vet ende, sepse të hënën pasdite do të ndeshet me luksemburgaset e Betemburgut. Përballë rivalit më të dobët në grup duhet patjetër fitore, mundësisht me shumë gola diferencë. Nëse kjo ndodh, me shumë gjasa Vllaznia renditet e dyta dhe mund të kualifikohet si një ndër të dytat më të mira, ndaj asgjë nuk ka mbaruar. Matematikisht, edhe vendi i parë ësht ë në valle, por për atë nuk shpresohet shumë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *