Vllaznia njeh vetëm largime, mësohen dy të radhës

0

Skuadra e Vllaznisë e siguroi ngjitjen në Kategorinë Superiore, por duke qenë se menaxhohet nga Bashkia e Shkodrës, e ardhmja e saj është plot dritëhije. Zgjedhjet e reja lokale të planifikuara më datë 30 qershor janë mes “Po”-së e “JO”-së, ndaj edhe rrjedhjet nga kjo skuadër kanë nisur të bëhen rrugë.

Kështu, pas Dejvi Bilalit e Valdo Zeqajt, të cilëve u mbaruan kontrata, të tjerë futbollistë janë në prag largimi. Burime pranë klubi kuqeblu deklarojnë për SportEkspres.com se pjesa më e madhe e futbollistëve që ka Vllaznia aktualisht, si Tafili, Lika, Krymi, Sherri, Hajdari e disa të tjerëve, u mbarojnë kontratat.

Me ta askush nuk është ulur për të biseduar për sezonin e ri, ndërkohë skuadra është pushim. Këto ditë, dy futbollistë të huaj kanë deklaruar largimin, mbrojtësi rumun Dan Ignat dhe sulmuesi nigerian Kollins Eziamaka. Të dyve u mbaron kontrata me Vllazninë.

Shkak për këtë shpërbërje është menaxhimi i Vllaznisë nga Bashkia e Shkodrës, që kushtëzohet nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Ndaj edhe në Shkodër të gjithë futbollistët po mendojnë të largohen dhe vetë klubi shkodran është i pafuqishëm që t’i ndalojë, përjashtuar pak futbollistë që janë në kontratë edhe për një sezon.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.