Vllaznia në rënie të lirë: pas futbollit, ikën ylli i atletikës

Kjo mund të cilësohet pa më të voglin dyshim periudha më e errët e sportit shkodran. Sikur të mos mjaftonte rënia e Vllaznisë së futbollit nga kategoria dhe ecuria tejet e dobët e skuadrave të basketbollit dhe volejbollit, kuqeblutë marrin një tjetër goditje të fort.

Izmir Smajlaj, ylli i atletikës, jo vetëm te Vllaznia, por në rang kombëtar dhe ndërkombëtar, nuk do të konkurrojë më për skuadrën e vendlindjes. 25-vjeçari, që është kampion i shumëfishtë dhe rekordmen kombëtar në kërcim së gjati, tërhoqi dokumentacionin nga klubi shkodran.

Smajlaj mori leje-kalimin nga Vllaznia dhe tashmë i është bashkuar klubit të Tiranës. Një lëvizje që lidhet me faktin se kampioni i Europës për salla të mbyllura në vitin 2017 dhe kampioni i Ballkanit për salla të mbyllura në vitin 2018, jeton prej muajsh në kryeqytet.

Për më tepër, oferta e klubit të Tiranës ka qenë mjaft e mirë financiarisht, ndërsa janë plotësuar edhe kërkesat e kampionit për sa i takon kushteve stërvitore dhe bazës materiale. Në këtë mënyrë bardheblutë do të nisin një dominim të gjatë në garat e atletikës, pasi Smajlaj i bashkohet në skuadër Luiza Gegës, kampione dhe rekordmene e shumëfishtë e garave të vrapimit në të gjitha distancat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *