Vllaznia në errësirë totale, Luftëtari e “keqtrajton” në Shkodër

“Uria” e Vllaznisë, kundër klasit dhe dëshirës së Luftëtarit për të shkuar në Europë: triumfuan gjirokastritët, tepër të qetë dhe të fortë në këtë moment, aq më shumë që në Shkodër është e lehtë të luash futboll, duke parë edhe atmosferën e qetë dhe numrin e paktë të tifozëve.

Sot duhej të ishte një finale e vërtetë për Vllazninë, por duke hequr fillimin e ndeshjes, ku u duk se do të vinte goli, por traversa ndali Likën, më pas Luftëtari bëri ç’deshi.

Menaxhim i qetë i ndeshjes, pritje me qetësi për rastin e duhur dhe nëse pastaj ke në ekip emra si Abazaj e Bregu, gjithçka bëhet e thjeshtë.

Abazaj shënoi një gol të shpikur, duke dhuruar spektakël në zonë dhe duke shënuar nga një pozicion i vështirë, ndërsa Bregu në fund krijoi dhe përfundoi vetë aksionin që mbylli takimin.

Europa gjithnjë e më pranë për gjirokastritët, ndërsa Vllaznia po fundoset.

Vllaznia-Luftëtari      0-2

Shënues: Abazaj 52′, Bregu 86′

Vllaznia: Sherri, Gocaj, Malota, Berisha, Mersini, Orelesi (Çinari 57′), Lika (Kalaja 72′), Vucaj, Krymi (Tafili 79′), Riba, Sukaj. Trajner: Ernest Gjoka. (Të gatshëm: Selimaj, Pjeshka, Bardulla, Gurishta).

Luftëtari: Athanasopulos, Liçaj, Jakovljeviç, Rapa, Xhekson, Aleksi, Ramadani, Rroca, Abazaj (Aurelio 70′), Bregu (Minga 90′), Shkurtaj (Lamçja 45′). Trajner: Hasan Lika. (Të gatshëm: Ruçi, Beqiri, Demo, Janku).

Kartonë të verdhë: Krymi 17′, Malota 61′ / Rroca 33′, Bregu 87′

EPISODET

85′ GOL LUFTËTARI! Kundërsulm perfekt, Bregu kombinon me Rrocën dhe del vetëm me Sherrin, duke mos gabuar!

79′ Prej disa minutash Luftëtari kontrollon mirë lojën dhe në kundërsulm krijon raste të pastra, por nuk shënon. Edhe Rroca, nga një pozicion i mirë, gjuan fort, por Sherri pret në pozicion qendror.

67′ Kros nga e majta e sulmit shkodran, Sukaj tenton fluturimthi me gjysmëkthesë, por mbi traversë.

66′ Kërkon penallti Vllaznia, për një rrëzim të Gilman Likës në zonë, por kontakti me Xhekson duket minimal.

52′ GOL LUFTËTARI! Çfarë goli Abazaj! Sulmuesi i transferuar këtë javë tek Anderlehti në Belgjikë shënon një gol spektakolar, duke kaluar bukur në krah Mersinin dhe duke goditur nga një pozicion i pamundur. Vllaznia në telashe të mëdha!

45’+2 Provon nga distanca edhe Vucaj, por qendrore dhe portieri Athanasopulos ndal në dy kohë.

45′ Sukaj tenton me të majtën nga distanca, mbi traversë. Ndërkohë, sulmuesi i Luftëtarit Vasil Shkurtaj është dëmtuar dhe është detyruar të kërkojë zëvendësimin, me Lamçen që futet në vend të tij.

39′ Bregu e Abazaj krijojnë panik në zonën shkodrane. Pas disa kombinimesh, Bregu futet në zonë, shmang bukur Gocajn dhe jep një kros që shkon te Abazaj, por sulmuesi në pozicion të vështirë gjuan jashtë.

24′ Vllaznia sërish e rrezikshme, me Sukajn që merr një kros nga e djathta, shkon në fundore dhe jep një pasim në qendër, por Ribaj nuk e arrin dot.

12′ TRAVERSË VLLAZNIA! Gilman Lika lëshon një gjuajtje të shkëlqyer me të majtën nga jashtë zone, traversa shpëton Luftëtarin. I pafat mesfushori i Vllaznisë!

10′ Vllaznia humbet një rast të pabesueshëm. Pas një fillimi mjaft të qetë të ndeshjes, Krymi futet në zonë dhe merr një pasim perfekt, por nuk arrin të godasë si duhet, edhe pse i vetëm me portierin, në pozicion të prirët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *