Vllaznia, lojtarët sillen si punonjës dikasteri

Vetëm 12 pikë në 13 javë, 2 pikë nga zona e ftohtë, lojë apatike dhe mbi të gjitha pak shpresë për të parë më lart. Çfarë po ndodh me Vllazninë? Skuadra po shfaq të njëjtat probleme, si me Cungun, ashtu dhe tani me Gjokën, dhe ndoshta në këtë moment duhet të thërrasësh në apel edhe kontributin e futbollistëve. Ajo çka e bën situatën të çuditshme janë kushtet në të cilat punojnë këta futbollistë. Orelesi, Lika, Vucaj, Hasani e Ribaj, të gjithë ish-fitues të mëdhenj dhe me një përvojë shumë të madhe, të paguar me vlera të rëndësishme dhe në kohë korrekte. Atëherë çfarë ndodh? Pse Vllaznia nuk është në nivelin e pritshëm? Shumëkush thotë që klubin e menaxhon bashkia, por nën drejtimin lokal këtë vit ka rregullsi në pagesa dhe rroga të larta. Atëherë a mos ndoshta lojtarët duhet të zgjohen nga gjumi letargjik?

Vllaznia të ngjan gjithnjë e më shumë si një drejtori periferike e një ministrie apo dikasteri shtetëror ku njerëzit prej vitesh vegjetojnë dhe kalojnë kohën derisa të vijë orari zyrtar i ikjes në shtëpi. Pak a shumë si një dikaster, ku më shumë luhet me letra në kompjuter, se sa bëhet punë. Diferenca është që ata që punojnë në shtet nuk marrin nga 4 milionë lekë në muaj, por vetëm 400 mijë lek. Vllaznia duhet zgjuar dhe lojtarët duhet ta kuptojnë se nuk janë aty thjesht për të luajtur e paguar. Ata veshin një fanellë të rëndë dhe ashtu si respektohen në kontrata dhe me pagesa duhet të japin gjithçka në fushën e lojës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *