Vllaznia lë Ulqinin, merkatoja mund të quhet e mbyllur

Kuqeblutë kthehen sot në Shkodër. Nesër miqësore me Tërbunin për provën gjenerale anti-Kukësi

Gaspër Marku

12 ditë kishin planifikuar drejtuesit e klubit Vllaznia për fazën përgatitore, të cilën kuqeblutë janë duke e zhvilluar që prej datës 6 janar në bregdetin ulqinak. Edhe pse kishte zëra që qëndrimi në Ulqin do të shtyhej deri ditën e shtunë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Burime zyrtare pranë klubit kuqeblu bëjnë të ditur se ditët ulqinake për futbollistët shkodranë mbyllen sot. Më saktësisht, tekniku Gjoka do të ketë mundësinë e zhvillimit edhe të një seance të vetme stërvitore paraditen e së enjtes, ndërkohë që më pas do të udhëtojë drejt Shkodrës, duke i dhënë fund grumbullimit në kampingun ulqinak. Sa i takon ditës së mërkurë, kuqeblutë kanë zhvilluar përsëri një seance të vetme. Ajo është konsumuar në orët e pasdites në fushën e kompleksit sportiv “Olimpik” të Ulqinit, gjë që tregon se ashtu siç ishte paralajmëruar më parë, tekniku Gjoka ka filluar të ulë ngarkesat. Më së shumti në këtë seance, tekniku kuqeblu është përqendruar në aspektin taktik të skuadrës, si dhe në projektin e formacionit të parë. Në fokus vazhdojnë të jenë blerjet e reja, prej të cilëve pritet ndryshimi edhe në skuadër. Më së shumti një gjë e tillë pritet në repartin e mbrojtjes, aty ku stafi teknik ka konstatuar probleme me pjesën e parë të sezonit. Të piketuar nga vetë tekniku Ernest Gjoka, për llogari të këtij reparti janë tre futbollistë, dyshja e qendrës së mbrojtjes Malota-Berisha, si dhe mbrojtësi i majtë Mersini, ndërkohë që i katërti, shkodrani Xhevahir Sukaj, ka marrë përsipër të bëjë diferencën në repartin e sulmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *