Vllaznia kryeson grupin, ja receta e Hasan Likës: Duhet përmirësim në vazhdimësi

Këtë sezon futbollistik Vllaznia luan në Kategorinë e Parë, të cilën kishte disa sezone që e rrezikonte me paraqitjet e luhatura në fundin e renditjes në Kategorinë Superiore. Por drejtuesit e skuadrës shkodrane e nisën ndryshimin në këtë kategori së pari nga trajneri, ku në krye të saj vendosën një nga teknikët më të suksesshëm në futbollin tonë në dy dekadat e fundit, Hasan Likën.

Për situatën në 14 javët e luajtura, Lika deklaroi për SportEkspres.com se Vllaznisë i duhet më shumë përmirësim, sepse kampionati bëhet më i vështirë në pjesën e mbetur. “Pritshmëritë e Vllaznisë mendoj se janë përmbushur në 14 javët e luajtura në kampionat, me 11 fitore, 2 barazime dhe 1 humbje. Skuadra ka dhënë maksimumin, edhe pse unë jam i pakënaqur, pasi duhet të kishim të paktën 3 pikë më shumë. Gjithsesi, një pozicion që tregon forcën tonë reale”.

Por për Hasan Likën kampionati bëhet më i vështirë në gjysmën tjetër, duke patur parasysh faktin se në fazën e tretë pikët e skuadrave në renditje përgjysmohen. “Faza e dytë ka edhe katër javë të tjera, por më e vështira vjen në fazën e tretë. Ndaj skuadrës i duhet shumë përmirësim në vazhdimësi, të jetë më këmbëngulëse kryesisht në ndeshjet në transfertë, sepse Vllaznia është skuadër që bën diferencën me kundërshtarët e tjerë në Grupin A”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *