Vllaznia “komuniste”…

0

Gjergji Stefa

Në një debat të ethshëm me studentët më të dalluar të Harvardit pedagogu i ekonomisë së aplikuar kish vështirësi në një auditor ku teorikisht ata përballë jepnin argumente se përse sistemi komunist është një i tillë i suksesshëm nga pikëpamja ekonomike. Përse dy individë me vlera të njëjta duhet të jetojnë në një sistem ku diferencat në pagesa janë të mëdha. Mesatarizim të ardhurash, ndërgjegje, mungesë presioni në nivel tregu. Ç’të keqe ka këtu?

Profesori në fund vendosi t’i mundte. Ai i ofroi klasës prej 10 studentësh mesatarizimin e notës. “Nëse ti merr 9, shoku yt merr 7. Të dy merrni 8”. Studentët u treguan entuziastë. Nxënësi i notës 9 tha: “Nëse nuk jam në një ditë të mirë, atëherë marr të paktën 8”. Nxënësi i 7 mendoi: “Tetën në çdo rast e kam të sigurt”.

Brenda 4 javëve klasa zhvilloi 4 provime. Fillimisht nota mesatare ra në 7, dhe kështu nisën pakënaqësitë e para. Nxënësit e mirë menduan: “Çfarëdo që të bëj, nuk marr dot 10”. Ata të dobëtit thanë: “Mendojnë të mirët për ne”. Në harkun e një muaji nota mesatare nga 8 shkoi në 5. Nxënësit nuk flisnin më me njëri-tjetrin dhe “të qenit në një sistem kolektiv” i bëri krejtësisht jo produktivë.

Profesori shkoi në klasë dhe jo pa kënaqësi tha: “Ky është komunizmi”. Unë kam 4 javë që nuk ju kërkoj asnjë llogari, sepse ju nuk jeni më individë, jeni kolektiv. Ju nuk mendoni më për veten, por “fshiheni pas njëri-tjetrit”. Ju nuk jeni më të parët, megjithëse jeni të njëjtit. Mesatarizimi, ndërgjegjja personale, kolektivizimi dhe mungesë e llogarisë personale është një sistem i dështuar”. Nxënësit ulën kokën dhe thanë: “Më mirë një profesor i rreptë, sesa pa profesor fare”.

Vllaznia e sotme – megjithëse i përket një qytetit  që më shumë se askush tjetër në fillimin e viteve 90’ përqafoi me pasion dhe me viktima ndryshimin e sistemit, jo vetëm në koncept ,por dhe nga pikëpamja ekonomike – funksionon njësoj si kooperativat famëkeqe të periudhës së komunizmit. Paratë vilen nga taksapaguesit, këshilli bashkiak miraton buxhetin, një administrator i zgjedhur nga pushteti lokal vendos trajnerin dhe lojtarët. Fundi është i pashmangshëm. Nuk ka njeri, ca më shumë sportist në botë, që funksionon në këtë treg kapitali me ndërgjegje personale dhe me frymë kolektive. Merrini të gjithë lojtarët e Vllaznisë dhe dërgojini në çdo skuadër tjetër shqiptare: ata ndoshta do luftojnë për gjëra të mëdha. Nuk është faji i tyre. Populizmi në sistemin e sotëm ekonomik nuk ka vlerë. Edhe Leo Mesi nëse nuk do ndjejë çdo moment presionin e klubit, fitoreve, tregut, kontratës, të ardhmes, nuk do ish i njëjti.

Sigurisht që mirë është që Vllaznia të shpëtojë. Në këtë qytet futbolli ka lindur, dhe jo vetëm ai. Një pjesë e mirë e futbollistëve më të mirë të Shqipërisë kanë lindur dhe janë rritur këtu. Sulmuesit në veçanti. Mjafton dy emra. Hamdi Salihi, shqiptari që ka shënuar më shumë në historinë e futbollit dhe Vioresin Sinani, shqiptari që ka shënuar më shumë gola në historinë e kampionatit shqiptar. Vllaznia nuk ka qenë vetëm një klub. Ka qenë gjithnjë më shumë. Për 5 dekada ka qenë sfiduesja, rezistenca tërë pasion e një qyteti që shpesh u jepte mesazh tre klubeve të Tiranës: vetëm me ne nuk ju ecën. Është simboli i masivitetit në stadium, është toka ku Shqipëria bëri fitoren e parë të madhe në historinë e saj, 3-1, kundër Rusisë. Njësoj si thoshte Salihi: kampionët ndoshta mblidhen diku tjetër, por ata lindin në Shkodër.

Edhe nëse Vllaznia shpëton, rënia do jetë çështje kohe. Mënyra si administrohet Vllaznia është një sistem i falimentuar, prej dekadash. Qofshin të gjithë të ndershëm, nuk ka asnjë mundësi që të jenë të gjithë produktivë.

Kokëfortësia për ta konsideruar Vllaznisë një administrim publik nuk ka logjikë. Shembuj të këtij administrimi sot edhe në Shqipëri, por ca më tepër në botë, i gjen vetëm nëpër komuna, të vogla, deri diku pa ndonjë zhvillim, atje ku biznesi nuk ka as arsye as tundohet për t’u përfshirë në futboll. Në Shkodër është ndryshe. Super stadium, akademi e jashtëzakonshme, tifozeri e shumtë, qytet me biznese potenciale për t’u joshur dhe për t’u përfshirë. Nuk ka qytet, klub dhe infrastrkturë më të mirë për ta shndërruar futbollin në biznes. Nuk ka nevojë për shumë para, ka nevojë për një administrim… privat.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.